Mijëra shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit votuan më 6 qershor fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Mbi 27.000 shtetas të Kosovës me të drejtë vote u regjistruan për të votuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.
Mbi 80 për qind apo 22.414 votues hodhën votën, sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike ku u mbyll votimi, por edhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga votimi në SHBA dhe Kanada sipas kohës lokale atje, njoftoi KQZ-ja në orët e para të 7 qershorit.
KQZ bëri të ditur se këto vota nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në qendrat e numërimit në vend.
Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore ishin të hapur prej orës 07:00 deri në ora 19:00, sipas kohës lokale në vendet përkatëse.
Ky numër votuesit është vetëm një pjesë e një rekordi prej mbi 110.000 votuesve nga mërgata që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Votimi u zhvillua në vende si Gjermani, Zvicër, SHBA, Kanada, Itali, Francë, Britani e Madhe, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari, Çeki etj.
Votimi në përfaqësi diplomatike ishte mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të 2025, ndërsa më herët kishte qenë i mundur vetëm votimi përmes postës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po mbahen pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.
Partitë politike nuk arritën konsensus rreth zgjedhjes së presidentit pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në fillim të prillit.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare në 18 muajt e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025.