Ndërlidhjet

Ambasadorja Çitaku: Ka përfunduar misioni i UNMIK-ut në Kosovë


Ambasadorja Vlora Çitaku, foto nga arkivi
Ambasadorja Vlora Çitaku, foto nga arkivi

Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, është diskutuar për zgjedhjet në Kosovë, derisa përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur mendime të ndryshme lidhur me çështjet për të cilat është diskutuar në këtë takim.

Derisa Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, theksoi se zgjedhjet “në përgjithësi ishin të lira, të drejta dhe garuese, përkundër kohës së shkurtër të përgatitjeve dhe fushatës”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se moskrijimi i institucioneve në Kosovë tregon për mungesë të stabilitetit në këtë vend.

Daçiq ka përmendur edhe çështjen e jetesës së serbëve në Kosovë, duke ngritur pyetje se pse askush nuk e pëmend largimin e një numri të madh tyre nga Kosova.

Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, po ashtu ka thënë se përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë UNESCO-n dhe INTERPOL-in, kanë një ndikim destabilzues në rajon.

Derisa ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, duke përsëritur faktin se Kosova tashmë është një shtet i pavaruar, ka bërë kërkesë për dhënien fund të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, pasi i njëjëti nuk ka rol më këtë vend. Ajo ka thënë se ky mision është duke krijuar inicitiava për të arsyetuar prezencën e tij në Kosovë.

Po ashtu ambasadorja Çitaku ka thënë se nuk janë të nevojshme takimet tre mujore që janë duke u mbajtur tash e një kohë në Këshillin e OKB-së, për Kosovën.

Çitaku ka thënë Kosova është vend i barabartë me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, duke përmendur pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e Kartës së Adriatikut në Podgoricë.

"Kosova dhe pavarësia e saj nuk është projekt i përkohshëm. Ajo është aty për të qëndruar përgjithmonë. Normalizimi nuk mund të ndodh nëpërmjet ndarjes", ka thënë ndër të tjera ambasadorja Çitaku.

Ajo ka theksuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë, duke përmendur vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë se zgjedhjet e fundit kanë qenë arritur standardet më të larta.

Përveç zgjedhjeve, Çitaku ka treguar vullnetin dhe përkushtimin e Kosovës, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut në Bruskel duke përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ajo ka shtuar se Kosova po punon për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duke vënë theks tek NATO-ja dhe progresi i Kosovës drejt formimit të ushtrisë.

Ndër të tjera ajo ka përmendur se si ushtria e Kosovës do të jetë multientike duke përfshirë edhe serbët në të, duke shtuar se përfshirja e tyre veçse ka filluar.

Ajo e ka falënderuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence, për deklaratat e tij gjatë samitit, Karta e Adratikut, për mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara, drejt përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO.

Tutje ambasadorja Çitaku e ka përmendur edhe moslejmin e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për të hyrë në Serbi, derisa vizita e saj kishte për qëllim promovimin e një libri për viktimat e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Ndër të tjera ajo ka përmendur edhe UÇK-në, duke thënë se e njëjta nuk është organizatë terroriste, por ëshë lëvizja më e sukseshme çlirimtare në historinë bashkëkohore.

Ajo ka thënë se çdo përpjekje për rishkrim të historisë do të dështojë, duke e ftuar Serbinë që të përballet me të kaluarën e saj.

Në fund, ambasadorja Çitaku ka përmendur edhe një varg të sukseseve në Kosovë, duke përmendur festivalin e filmit ndërkombëtar '"Dokufest'' dhe përpjekjeve të tjera të banorëve të Kosovës, për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve shoqërore në botë.

Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Michele Sison, ka kërkuar zvogëlimin e stafit të UNMIK-ut në Kosovë, derisa ka shtuar se takimet që aktualisht po mbahen çdo tre muaj në Këshillin e Sigurimit në OKB, të organizohen në një periudhë gjashtë mujore.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG