Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm 7.7 ballësh në Mianmar është rritur në më shumë se 1.600 të shtunën, pasi ekipet e shpëtimit nxorën më shumë trupa nga rrënojat e dhjetëra ndërtesave që u shembën kur tërmeti goditi në afërsi të qytetit të dytë më të madh të vendit.
Qeveria e udhëhequr nga ushtria e vendit tha se 1.644 njerëz kanë vdekur dhe 3.408 të tjetër janë lënduar, ndërsa 139 të tjerë janë zhdukur.
Mianmari është në mes të një lufte të gjatë dhe të përgjakshme civile, e cila tashmë ka shkaktuar një krizë të madhe humanitare. Kjo e bën lëvizjen nëpër vend si të vështirë ashtu edhe të rrezikshme, duke i ndërlikuar përpjekjet e ekipeve të shpëtimit dhe duke rritur frikën se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.
Tërmeti goditi mesditën e së premtes me epiqendër jo shumë larg Mandalait, dhe u pasua nga disa pasgoditje, përfshirë një të fuqishme 6.4 ballësh.
Në kryeqytetin Naipidav, ekipet punuan të shtunën për t’i ndrequr rrugët e dëmtuara, ndërsa në pjesën më të madhe të qytetit shërbimet e energjisë elektrike, telefonit dhe internetit mbesin të ndërprera.
Tërmeti rrëzoi shumë ndërtesa, përfshirë disa njësi që strehojnë nëpunës civilë të qeverisë, por ajo zonë e qytetit u bllokua nga autoritetet të shtunën.
Dëme edhe në Tajlandë
Në Tajlandën fqinje, tërmeti tronditi zonën më të madhe të Bangkokut, ku jetojnë rreth 17 milionë njerëz, si dhe pjesë të tjera të vendit.
Autoritetet e qytetit të Bangkokut thanë se deri tani janë gjetur gjashtë të vdekur, 26 të lënduar dhe 47 persona rezultojnë të zhdukur, shumica nga një kantier ndërtimi pranë tregut të njohur Chatuchak në kryeqytet.
Autoritetet tajlandeze thanë se tërmeti dhe pasgoditjet u ndien në shumicën e provincave të vendit.
Shumë zona në veri raportuan dëme në ndërtesa banimi, spitale dhe tempuj, përfshirë në Chiang Mai, por viktimat pati vetëm në Bangkok.
Tërmetet janë të rralla në Bangkok, por kryesisht të zakonshme në Mianmar.