Vendimi i Këshillit Evropian për të kufizuar eksportet e pajisjeve mjekësore jashtë Bashkimit Evropian, i ka rritur shqetësimet edhe në Kosovë në kohën kur institucionet shëndetësore po përballen me rastet e koronavirusit, ndonëse thuhet se nuk ka vend për panik.
Ky vendimi kufizues për eksportin e pajisjeve mjekësore, do të jetë i vlefshëm gjatë gjashtë javëve të ardhshme.
Në Federatën Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se stafi shëndetësor duhet të mbrohet, meqë janë të ekspozuar direkt me të infektuarit.
- Për lajmet e reja rreth koronavirusit përcilleni edhe blogun e drejtpërdrejtë të Radios Evropa e Lirë.
Blerim Syla, kryetar i kësaj federate, i tha Radios Evropa e Lirë, se aktualisht ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse për trajtimin e rasteve të koronavirusit në disa qendra, por që potencoi faktin se nuk ka vend për panik.
“Qeveria ka ndarë mjetet, por stoqet në vende tjera jashtë Kosovës, po i ruajnë për vete. Ne nuk kemi prodhim vendor. Federata jonë ka apeluar në të gjitha shtetet për ndihmë, pasi ne jemi anëtar të EPSUS, (Sindikatave evropiane) dhe sindikatave simotra me shtetin turk”.
“Por, presim të na lajmërojnë dhe po shpresojmë që do të na ndihmojnë. Kjo do të paguhet sigurisht. Federata Sindikale e Shëndetësisë po punon që t’i mbrojë punëtorët shëndetësorë duke mos anashkaluar edhe pjesën tjetër”, tha Syla.
*Video: Gjërat që duhet t'i dini rreth maskave dhe koronavirusit
Aktualisht, të prekurit me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri, po trajtohen në Klinikën Infektive. Por, ka edhe raste të lehta që janë në vetizolim dhe mbikëqyrje në shtëpitë e tyre.
Klinika Infektive ka 125 shtretër, 40 prej tyre të lidhura me oksigjenin qendror, derisa 6 me respiratorë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një takimi ditën e martë me ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, për masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur shëndetin e popullatës nga koronavirusi, ka shprehur shqetësimin lidhur me atë se sfidë në vete kanë qenë edhe rezervat të cilat janë gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, situatë kjo që ka imponuar një intervenim të menjëhershëm për të kërkuar asistencë edhe nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, për një përgjigje sa më adekuate ndaj situatës rreth Covid-19.
Ndërkaq nga po kjo ministri, zëdhënësi Faik Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se krahas 400 mijë eurove të ndara më herët nga Qeveria e Kosovës, për zbatimin e Planit të veprimit të Planit të gatishmërisë dhe të reagimit për Covid-19, qeveria ka ndarë edhe mbi 10 milionë euro mjete të tjera, prej të cilave, 6,2 milionë euro janë alokuar për shpenzime të menjëhershme.
Sa u përket pajisjeve, Klinika Infektive, tha Hoti, ka pranuar 40 mijë maska kirurgjike ditëve të fundit, si donacion. Ai po ashtu tregon edhe për kapacitetet infrastrukturore.
“Në funksion të përballimit të një numri më të madh të rasteve eventuale për të cilat kërkohet hospitalizim, në dispozicion do të jenë edhe Klinika e Pulmologjisë, Dermatovenerologjisë, Klinika e re e Imunologjisë dhe objekti i ri i Mjekësisë Sportive e gjithashtu, sipas nevojës edhe repartet e sëmundjeve infektive në spitalet e përgjithshme”, tha Hoti.
“Kosova ka 95 respiratorë në sektorin publik dhe një numër të konsideruar në sektorin privat. Respiratorë të tjerë do të mund të sigurohen edhe tani sepse ka mjete të ndara për to. Gjithashtu, sipas nevojës, do të mund të mobilizohen edhe respiratorët edhe resurset e tjera në funksion të menaxhimit dhe trajtimit sa më korrekt të rasteve, por edhe krejt situatës epidemiologjike me Covid-19”, theksoi ai.
Ndërkaq nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë thënë se ky institucion ka siguruar oksigjen të mjaftueshëm dhe se nuk rrezikohet asnjë pacient pasi që operatorët ekonomikë furnizojnë në baza javore sipas kërkesës së klinikave, ndonëse kjo klinikë ditë më parë kishte rezervat e fundit të oksigjenit.
Edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik tashmë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se ndonëse janë bërë rreth 300 teste për koronavirusin e ri, dhe kanë rezultuar 19 raste pozitive me Covid-19, aktualisht ka reagenca për të testuar të dyshuarit me virus.
Megjithkëtë autoritetet përgjegjëse thonë se ndonëse aktualisht qëndrojnë mirë, mbetet të shihet se si do të rrjedhë situata, varësisht shpërndarjes së koronavirusit të ri.