Pritjet në kufij, mosnjohjet e certifikatave fitosanitare dhe skanimi i produkteve janë vetëm disa nga pengesat, me të cilat përballet kompania për përpunimin e patates “Pestova”, kur eksporton mallin e saj nga Kosova në Shqipëri.
“Minimumi, çdo dokumentacion që lëshohet në terminalin në Kosovë... pse të mos pranohet në Shqipëri, por të pritet në kufi? Ne eksportojmë në shumë vende të Bashkimit Evropian, por më shumë ka pengesa kur eksportojmë në Shqipëri sesa në BE”, thotë Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie nga Kosova.
Kostoja e kalimit të një kamioni në skaner, për të kontrolluar mallin që ka brenda, është 22 euro.
Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të bërë vitin e kaluar, bizneset kosovare paguajnë rreth dy milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të hyjnë në Shqipëri.
Sipas GAP-it, autoritetet e Shqipërisë u kërkojnë bizneseve nga Kosova t’i noterizojnë edhe certifikatat fitosanitare të prodhimeve - gjë të cilën nuk e praktikojnë shtetet e tjera në rajon, e madje as ato të Bashkimit Evropian.
Për eliminimin e barrierave të tilla tregtare, Kosova dhe Shqipëria, ndër vite, kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje.
Mbi 90 të tilla që kanë në fokus përmirësimin e shkëmbimeve tregtare, janë nënshkruar në shtatë vjetët e kaluar.
Marrëveshje dhe zotime të ngjashme u bënë edhe në mbledhjen e fundit ndërmjet të dyja qeverive, që u mbajt më 26 nëntor.
Por, përfaqësues të bizneseve thonë se marrëveshjet e tilla nuk kanë ndikim në terren.
“Autoritetet e të dyja shteteve ende mbajnë në fuqi barriera të ndryshme, që kanë kosto në tregtimin e mallrave”, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
“Është momenti i fundit që të hiqen këto kosto të panevojshme, të tilla si çështja me dokumentet fitosanitare, pastaj kostoja e skanerëve e të tjera”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, probleme të ngjashme iu paraqiten edhe bizneseve nga Shqipëria që eksportojnë në Kosovë.
Dhe, barra është rritur edhe më shumë në vitin 2018, kur autoritetet e Shqipërisë e kanë bërë me pagesë autostradën “Rruga e Kombit”, e cila lidh dy vendet.
Pagesa për kamion është nga 17 deri në 23 euro, varësisht kapaciteteve që ka automjeti.
Në tetor të këtij viti, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive.
Më shumë se 60 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme.
Në mbledhjen e 26 nëntorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nëse shikohen marrëveshjet një nga një, “disa prej tyre janë zbatuar plotësisht, disa janë në zbatim e disa kanë ngecur”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshjet e nënshkruara kanë ngecur, por shtoi se do të punohet në zbatimin e tyre.
Marrëveshjet që i nënshkruan ata më 26 nëntor, përfshijnë atë për lehtësime në procedura doganore dhe kontroll të mallrave. Dy kryeministrat thanë se ato do t’i eliminojnë barrierat për të cilat ankohen bizneset.
Ndër vite, Kosova dhe Shqipëria kanë investuar miliarda euro në infrastrukturën rrugore që i lidh dy shtetet.
Vlera e produkteve të shkëmbyera midis dy vendeve dallon. Në vitin 2020, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej afro 200 milionë eurosh, ndërsa Kosova në Shqipëri mallra në vlerë prej mbi 110 milionë eurosh.
Facebook Forum