Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet të dërgohet për miratim në Parlamentin e Maqedonisë, konsiderohet një rezultat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Hazbi Lika, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë, për dikasterin e sistemit politik, që në fokus ka zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumenti kornizë, nëpërmjet së cilit iu dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001, në masë të madhe ka avancuar realizimin e kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë. Megjithatë, Lika konsideron se ka ende punë për t’u bërë.
“Me një marrëveshje nuk mund të mbyllen kërkesat për realizimin e të drejtave të një kombi, populli. Ata duhet në vazhdimësi të kërkohen, jetësohen, derisa ky shtet (Maqedonia) të jetë i barbarët për të gjithë. Kështu, hap pas hapi, politika duhet të fokusohet në prioritete. Ne kemi prioritete, për momentin jemi të fokusuar në ligjin e gjuhëve".
"Çështja e gjuhës nuk është diçka luksoze përmes së cilës kërkesë partitë politike synojnë të reklamojnë veten, por është një gjë më se e nevojshme, sepse veçanërisht të rinjtë gjithnjë e më pak e mësojnë gjuhën shqipe dhe për ta është shumë e nevojshme që administrata shtetërore t’u ofrojë shërbime edhe në gjuhën shqipe. Njëkohësisht, edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është çështje me prioritet për ne”, thotë Lika, ish-komandant i UÇK-së gjatë konflikt të armatosur në vitin 2001.
Lika thekson se një nga pikat kryesore të planit të qeverisë të njohur si Plani 3-6-9- për nxitjen e procesit euro-integrues të Maqedonisë është edhe jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit. Pjesa që ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit përmban aspektin legjislativ përkatësisht Ligjin e gjuhëve, i cili tashmë është miratuar në qeveri dhe pritet të kalojë edhe në Parlament që të mund të gjejë zbatim edhe në praktikë.
Lika thotë se Ligji për gjuhët, qytetarëve shqiptarë u mundëson të përdorin gjuhën shqipe në të gjitha institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror.
“Me ligjin e gjuhëve, të propozuar nga Qeveria, nuk mund të them se mbyllet tërësisht kjo kaptinë e marrëveshjes së Ohrit, por mendoj se qytetarëve shqiptarë me këtë ligj u ofrohet një mundësi e mirë që në administratë të shërbehen edhe në gjuhën shqipe”.
“Kështu që gjuha shqipe gjen zbatim në aspektin vertikal nga mbledhjet e Qeverisë ku gjuha shqipe gjen zbatim në të folur dhe dokumentet e shkruara deri në institucionet më të ulëta. Përderisa në aspektin horizontal, në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë 20 për qind (të popullsisë) gjuha shqipe gjen zbatim në të gjitha institucionet”, shprehet Lika.
Por, njohësit e çështjeve politike thonë se Marrëveshja e Ohrit ka shërbyer për sigurimin e pikëve politike për partitë politike shqiptare në pushtet.
“Marrëveshja e Ohrit në shumë raste përgjatë këtyre viteve, që nga viti 2001, është keqpërdorur për përfitimin e pikëve politike në më shumë raste kur politikanët nuk arrijnë të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për kërkesat e qytetarëve”, thekson Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut.
Najçeska thotë se dokumenti kornizë në fokus ka elementin qytetar dhe jo atë kolektiv, mbi bazë të së cilit partitë politike mbajnë peng elektoratin duke u bërë pronar i të drejtave të caktuara .
“Marrëveshja e Ohrit duhej të ndërpresë së ekzistuari, përkatësisht të jetë burim i të drejtave të caktuara në momentin që u bënë ndryshimet kushtetuese. Që në atë moment, ndryshimet kushtetuese duhej të ishin ato (përmes ndryshimit të ligjeve dhe akteve nënligjore) përmes së cilave qytetarët do të realizojnë të drejtat e tyre përderisa Marrëveshja e Ohrit duhej t’i takojë historisë si dokument, përmes së cilit iu dha fund në një moment konfliktit të armatosur në vitin 2001”, thotë Najçevska.
Ndryshe, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, më 13 gusht të 2001, iu dha fund konfliktit të armatosur atëkohë në Maqedoni, dokument ky që u arrit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, lideri Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ai Partisë për Prosperitet Demokratik, Imer Imeri, dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri.
Përmes këtij dokumenti kornizë, synohej avancimi i statusit juridik, politik ekonomik dhe kulturor i shqiptarëve të Maqedonisë.
Parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit ndërtohen mbi pesë shtylla kryesore: Ndërrimi i pushteteve vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike; Garantimi i sovraniteti dhe integriteti territorial të Maqedonisë; Konfirmimi i karakterit multi-etnik të shoqërisë maqedonase; Ndërtimi i shtetit demokratik; Zhvillimi i pushtetit vendor.
Njohësit e çështjeve politike theksojnë se Marrëveshja e Ohrit mbetet e parealizuar edhe 16 vjet pas, pavarësisht se në segmente të caktuara janë avancuar të drejtat e shqiptarëve përmes ndryshimeve ligjore, por zbatimi në praktikë i këtyre ligjeve, lë shumë për të dëshiruar. Analistët theksojnë si problem dhe faktin seky dokument nuk arriti të ndryshojë statusin kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni.
Facebook Forum