Ministrja për Integrime Evropiane e Qeverisë së Serbisë, Jadranka Joksimoviq, ka deklaruar që marrëveshja e Uashingtonit, në Serbi nuk do të kalojë si një episod i thjeshtë, marrë parasysh që Serbia dëshiron që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ketë marrëdhënie sa më të mira, marrëdhënie të cilat “për kohë të gjatë kanë lëvizur me shtegun një hap para –dy hapa prapa”.
Siç ka thënë ajo, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, kjo është e mirë edhe për rajonin sepse ajo marrëveshje nuk është vetëm çështje e Serbisë.
Bashkëpunim me SHBA-në dhe orientim evropian
Me marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator, veç e veç nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe me vendosjen e zyrës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim (DFC) në Beograd, tre javë pas, “është bërë hap domethënës për ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit të përgjithshëm për zhvillim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Joksimoviq.
Ajo shtoi se kjo do të kontribuojë gjithsesi edhe për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve gjithëpërfshirëse ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.
Hapja e zyrës së DFC-së në Beograd, sipas saj, “flet për atë që SHBA-ja është shumë e interesuar për rajonin dhe për Serbinë, si vendin bartës të ekonomisë të rajonit”.
Marrë parasysh situatën e qëndrueshme ekonomike në Serbi, interesimin e tillë amerikan për Serbinë ajo e konsideron të natyrshëm.
Lidhur me orientimin e mëtejmë të politikës së jashtme të Serbisë, Joksimoviq theksoi që ekziston një drejtim i definuar qartë i politikës së jashtme të Serbisë – që nënkupton rrugën evropiane dhe integrimet evropiane të vendit.
Ajo përkujton që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë ka folur për këtë, duke thënë se ky mbetet prioritet strategjik i qeverisë aktuale dhe i qeverisë së ardhshme.
Joksimoviq theksoi se pavarësisht zgjedhjeve të ardhshme në SHBA, politika e jashtme e kësaj të fundit nuk ndryshon, siç tha ajo, sot për nesër.
“Secili shtet serioz e respekton nënshkrimin e vet në dokumente dhe ky është përdorim i të drejtës ndërkombëtare”, theksoi ajo dhe shtoi që eventualisht mund të diskutohet për atë se a do të jetë kjo marrëveshje në fokus të administratës së kandidatit demokrat Joe Biden, në qoftë se do të udhëheqë ai, në masën në të cilën ka qenë në fokus të presidentit, Donald Trump.
Beogradi zyrtar, sikurse edhe presidenti Donald Trump, i cili është aktualisht në fushatë zgjedhore, e konsideron marrëveshjen si historike.
Këtë e ka deklaruar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në një intervistë për Televizionin Prva, një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Cilat dyer janë hapur dhe cilat nuk janë mbyllur?
Megjithatë, pas marrëveshjes së Uashingtonit, zyrtarët e Serbisë i kanë orientuar aktivitetet e veta diplomatike edhe në takimet me zyrtarët kinezë dhe rusë, gjatë të cilave i kanë siguruar ata që Serbia do të vazhdojë me politikën e saj të jashtme të balancimit.
“Vërtet, i hapim dyert, po shpresojmë për një bashkëpunim më të madh strategjik me SHBA-në”, ka thënë Bërnabiq dhe në të njëjtën fjali ka shtuar që “kjo nuk i komprometon në asnjë mënyrë bashkëpunimin tonë me partnerët tanë, as me Kinën e as me Federatën Ruse. Marrëveshja i hap një palë dyer, por nuk i mbyll të tjerat”.
A po vihet në pikëpyetje bashkëpunimi me Huawei-n?
Këtë Bërnabiq e ka demonstruar edhe me takimin e mëvonshëm me ambasadoren kineze Chen Bo, me rastin e hapjes së Qendrës për inovacione dhe të zhvillimit digjital të kompanisë Huawei në Beograd, më 14 shtator.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me ndikimin eventual të disa pikave të marrëveshjes së Uashingtonit në marrëdhëniet me Huawei-n, Bërnabiq ka thënë që as Serbia nuk është e interesuar për teknologji jo të besueshme, por në interesin e saj është që tenderi për futjen e rrjetit 5G të jetë i hapur dhe transparent, duke respektuar standardet ndërkombëtare.
Pika e nëntë e marrëveshjes së Uashingtonit, sipas saj, thotë që të dyja palët, në rrjetet e tyre mobile do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të cilat dërgohen nga shitësit e paverifikuar.
Bërnabiq tha se për këtë kishte biseduar edhe me përfaqësuesit e kompanisë Huawei dhe se të dyja palët “absolutisht njëjtë” e kanë kuptuar pikën e marrëveshjes së Uashingtonit.
Ajo theksoi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “arriti... që të mbajë dyert e hapura me të gjithë partnerët, pa e sjellë Serbinë në pozitë të palakmueshme për t’i shkelë normat e saj”.
Serbia “vëllazërisht” me Kinën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar më 30 shtator se është “krenar për miqësinë" e Serbisë me Kinën dhe se ato do të kenë sukses në ruajtjen e marrëdhënieve vëllazërore dhe miqësore, ndërkaq që Serbia, pavarësisht presioneve që do t’i nënshtrohet “nuk do ta sjellë në pikëpyetje miqësinë me Kinën”.
“Nuk janë kohëra të lehta pas nesh dhe me siguri që janë edhe më të rënda para nesh, por ne duhet të tregojmë miqësinë tonë. Në vendin më të vështirë në botë për të shprehur diçka pozitive për Kinën (në Uashington), unë kam thënë që kemi marrëdhënie shumë të mira me Kinën. Kjo flet për fuqinë e miqësisë tonë”, ka thënë Vuçiq në pritjen në ambasadën e Kinës në Beograd, me rastin e Ditës së shtetësisë së Kinës.
Vuçiq edhe më 11 shtator e kishte informuar ambasadoren e Kinës në Beograd, Chen Bo për bisedimet, të cilat delegacioni i Beogradit i kishte zhvilluar me delegacionin e Prishtinës në Uashington dhe në Bruksel, thuhet në faqen zyrtare të internetit të presidentit të Republikës së Serbisë.
Ai atëherë kishte porositur që Serbia do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin bilateral me Kinën, si partner të besueshëm, në të gjitha fushat, përfshirë edhe fushën e telekomunikacionit.
Dy ditë më herët, shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit, kishte biseduar me ambasadorin rus në Beograd, Alexandar Botsan-Kharchenko, si dhe me ambasadoren e Kinës, Chen Bo.
Gjuriq, siç thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka shprehur besimin për vazhdimësinë e miqësisë të Aleksandar Vuçiqit dhe (presidentit kinez) Xi Jinping, ndërkaq Botsan-Kharchenkon e ka porositur që Serbia llogaritë në ndihmën e Rusisë dhe se është mike e besueshme e Rusisë.
Grenell: Marrëveshja e largon rajonin nga Rusia dhe Kina
Por, porositë nga Uashingtoni kanë qenë të qarta – marrëveshja, bashkë me insistimin për ekonominë, do të ketë edhe pasoja për skenën e politikës së jashtme.
Këtë e ka deklaruar përfaqësuesi i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dh Serbisë, Richard Grenell, për portalin ACLJ,org., pesë ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit.
Grenell ka thënë që Shtetet e Bashkuara, gjithashtu janë përpjekur që rajonin ta bëjnë më pro-perëndimor, gjë që do ta largonte nga Rusia dhe Kina.
Serwer: Lëvizjet taktike të Serbisë
Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins dhe ekspert për Ballkanin Perëndimor, lëvizjet e Beogradit me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit dhe më vonë edhe deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, nuk i sheh si shenja të një kthimi të orientimit strategjik të politikës së jashtme të Serbisë kah SHBA-ja.
“Lëvizjet në drejtim të Uashingtonit më dukeshin taktike. Mbështetja e Serbisë për opozitën e (presidentit të Malit të Zi dhe deri vonë partisë së tij në pushtet DPS, Milo) Gjukanoviqit në Mal të Zi, refuzimi i pranimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, simpatia gjithnjë e më e madhe ndaj (anëtarit serb të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad) Dodikut dhe afërsia e vazhdueshme me Moskën për çështjet ushtarake dhe me Pekinin, lidhur me investimet, më duken shumë më tepër si lëvizje strategjike”, theksoi Serwer për Radion Evropa e Lirë.
Sekuloviq: Po kalon koha e “politikës së katër shtyllave”
Vlatko Sekuloviq, analist politik dhe ish-shef i ekipit negociator të Serbisë për Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA), thotë për Radion Evropa e Lirë se në Serbi ende ka mëdyshje dhe se ende nuk është krejtësisht e qartë se a do të distancohet në mënyrë më markante Beogradi prej Kinës dhe Rusisë, pas marrëveshjes së Uashingtonit.
Sipas tij, mbetet e hapur çështja nëse Serbia do ta ndryshojë politikën e saj të jashtme të bazuar në katër shtyllat e famshme (BE-ja, SHBA-ja, Rusia, Kina), të cilat, siç përkujton ai, burojnë që nga mandati i Partisë Demokratike të presidentit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq.
“SHBA-ja edhe më tej do të mbetet e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit dhe në këtë kontekst Serbia do të duhet të fuqizojë partneritetin dhe të harmonizojë politikën e jashtme dhe të brendshme me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, gjë që do të thotë largim automatik nga Rusia dhe Kina”, tha Sekuloviq.
Ai theksoi se me marrëveshjen e Uashingtonit, të gjitha palët kanë pranuar obligimin që në fushën e sigurisë të përdorin teknologjinë më bashkëkohore të SHBA-së, gjë që do të sigurojë kyçjen e Beogradit dhe Prishtinës në sistemin e sigurisë në krye me SHBA-në “veçanërisht në pjesën e hapësirës kibernetike”, ku siç thotë ai, “po shpërthejnë sulmet nga hakerët kinezë dhe rusë”.
Marrëdhëniet me Izraelin (hapja e përfaqësisë tregtare të Serbisë në atë vend dhe vitin e ardhshëm edhe zhvendosja e ambasadës në Jerusalem) dhe siguria kibernetike, sipas Sekuloviq, do të zbatohen menjëherë, ndërkaq diversifikimi energjetik, i cili Serbinë do ta bënte më pak të varur nga gazi rus, do të kërkojë edhe pak kohë.
Jakshiq: Përbërja e qeverisë së re do të zbulojë marrëdhënien ndaj Rusisë
Komentuesi i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, thotë për Radion Evropa e Lirë që “ndonëse marrëveshja e Uashingtonit duket si ndryshim tektonik”, është herët që të nxirret përfundimi nëse Serbia do të largohet dukshëm nga mbështetja në Rusinë dhe Kinën.
“Për sa i përket marrëdhënies së ardhshme me Rusinë, do të dimë më shumë kur të formohet qeveria e re sepse kompozimi i saj do të jetë pasqyrë e disponimit të pushtetit”, theksoi Jakshiq.
Ai beson që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “e ka frikën nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të cilën nuk e ka larguar me afrimin me (presidentin amerikan) Donald Trump. Do të përpiqet që të baraspeshojë sepse do ta kishte me shumë rrezik që ndaj tij të bëjë ndonjë kthesë më të mprehtë, sikurse që e kishte bërë dikur presidenti malazez, Milo Gjukanoviq në Mal të Zi”, tha Jakshiq.
Siç thekson ai, qeveria e re do të jetë një “letër lakmusi’ i marrëdhënieve ndaj Kremlinit, para së gjithash lidhur me atë se a do të ketë, sikurse deri më tash, sektorin e energjetikës kuadri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), parti kjo e cila perceptohet si kanali më ndikues i Rusisë. Jakshiqi, megjithatë, nuk pret që Vuçiq do të ketë guxim të bëjë një prerje të mprehtë ndaj Putinit, i cili, siç e ka demonstruar në disa vende tjera, sikurse në Ukrainë, gjithmonë mund t’ia ndalë Serbisë gazin, nga i cili është i varur krejtësisht.
Shënohet një qëndrim më pozitiv i qytetarëve të Serbisë ndaj SHBA-së
Hulumtimi i opinionit publik lidhur me marrëdhëniet e Serbisë me SHBA-në, të cilin e ka bërë Instituti për Punë Evropiane, ka treguar që vizita eventuale e presidentit amerikan, Donald Trump në Serbi, do t’i përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit, ndërkaq që ky përmirësim do t’i kontribuonte edhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Sipas këtij hulumtimi, më shumë ka të tillë që mendojnë se është me rëndësi që marrëdhëniet me SHBA-në të jenë të mira, ndërkaq, më pak janë ata që SHBA-në e shohin si vend armiqësor.
Hulumtimi “Qëndrimet e qytetarëve të Serbisë për Amerikën” është bërë në mars të viti 2020, me 1,207 të intervistuar.
Siç thuhet në komunikatën e Institutit për Punë Evropiane, nota mesatare e vlerësimit që qytetarët e Serbisë i kanë dhënë marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është 2.63, që është një rritje e lehtë krahasuar me më parë.
Më shumë se një e pesta e të intervistuarve (20.8 për qind) konsiderojnë që marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Amerikës do t’i përmirësonte zgjidhja e çështjes së Kosovës.
Gati se gjysma e të intervistuarve, 49 për qind, konsiderojnë që vizita e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, do t’i përmirësonte marrëdhëniet e dy vendeve, ndërkaq 35 për qind e të intervistuarve vlerësojnë të kundërtën dhe 16 për qind janë të pavendosur.
Facebook Forum