Greqia e dëshiron integrimin e fqinjit të saj verior (Maqedonisë) në NATO dhe Bashkim Evropian, është shprehur ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias në Shkup, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov.
Aty, kryediplomati grek ka paralajmëruar tejkalimin e mospajtimeve ndërmjet Athinës dhe Shkupit rreth çështjes së emrit të Maqedonisë.
“Besoj se e ardhmja i takon bashkëpunimit tonë dhe se do të gjejmë guximin për t’i mënjanuar të gjitha elementet të cilat e mbajnë gjallë këtë kontest të palogjikshëm”, ka thënë Kotzias.
“Do të thotë se për të rritur mirëbesimin, në mënyrë kreative ta zgjidhim këtë problem që kemi mes dy vendeve, duke ngrysur çdo irredentizëm”, ka theksuar ministri i Jashtëm i Greqisë. Sipas tij, Greqia së fundmi ka lënë anash historinë në mënyrë që t’u jepet fund mosmarrëveshjeve.
“Mospublikimi i lajmeve irredentiste nga pala greke kohëve të fundit është një dëshmi se Greqia edhe më tej mbetet e fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Maqedoninë dhe për stabilitetin e saj, sepse vetëm me një stabilitet të Maqedonisë dhe shteteve fqinje, Ballkani Perëndimor mund të integrohet në NATO”, ka theksuar Kotzias.
Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth pengesave që po i bën Greqia shtetit të Maqedonisë në procesin e integrimit në strukturat veri-atlantike, shefi i diplomacisë greke tha se “Greqia nuk është ajo që vendosë për anëtarësimin ose jo të ndonjë vendi në NATO”.
Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov tha se gjatë takimit me homologun e tij grek ka diskutuar për modalitetet që do të çonin kah zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke shpalosur se si këto dy vende e perceptojnë procesin e zgjidhjes së kontesti prej dy dekadave.
“Shpresojmë se do të kemi mbështetje nga Greqia gjatë procesit euro-integrues të Maqedonisë dhe njëkohësisht presim të sillemi si miq pa tentuar ta mposhtim njëri-tjetrin”, ka thënë Dimitrov.
Aty, Dimitrov është pyetur edhe në lidhje me statujat antike të cilat autoritetet maqedonase i kanë vendosur dhe për të cilat nuk pajtohet Greqia. Ai tha se duhet lënë anash komplekset që rrënjët i kanë në të kaluarën duke shikuar kah e ardhmja, që sipas tij, është integrimi i rajonit në BE.
“Nuk më duhen qindra statuja që të ndjehem maqedonas krenar, njëherësh aspak nuk më pengon kur ndonjë grek nga Selaniku veten e quan maqedonas. Mendoj se jemi në shekullin e XXI”, ka vlerësuar ministri Dimitrov.
Për të anashkaluar aeroportin e Shkupit , i cili është emëruar “Aleksandri i Madh”, emri ky që ka nxitur reagime të ashpra para disa vitesh në Athinë, shefi i diplomacisë greke shkoi në Shkup përmes transportit rrugor nga Athina.
Ndërkohë që para Ministrisë Punëve të Jashtme të Greqisë është pritur nga një grup protestuesish të cilët kanë brohoritur, “Mos më quani FYROM, por më thirrni Maqedoni”, duke kundërshtuar kështu përdorimin e referencës ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) nga ana e zyrtarëve grek.