Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut nuk i plotëson kërkesat e saj për grurë


Bujqit në Maqedoninë e Veriut. Fotografi nga arkivi.
Bujqit në Maqedoninë e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut prodhon shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore sesa janë nevojat e saja si shtet, edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së saj është tokë bujqësore.

Bujqit thonë se pjesa më e madhe e tokës bujqësore nuk mbillet për shkak se kostoja e prodhimit të grurit është më e lartë sesa gruri që importohet.

Mehmet Sinani, bujk nga fshati Kamjan në Tetovë, për më shumë se tri dekada merret me bujqësi dhe kryesisht mbjell grurë, misër dhe fasule.

Ai thotë për Radio Evropa e Lirë se politikat e gabuara të Qeverisë janë ato që dekurajojnë të rinjtë të merren me bujqësi dhe gjithnjë e më shumë tokat bujqësore nuk po mbillen.

Sipas tij, vitin e kaluar një kilogram grurë e ka shtiur për 11 denarë (18 centë), por shton se këtë vit, pas rritjes së madhe të çmimeve të karburanteve dhe plehut artificial, kostoja e prodhimit të këtij produkti ka arriti në 22 deri në 23 denarë (37 centë).

“Këtë vit, në rast se gruri nuk paguhet në nivelin që është rregulluar me ligj si produkt me interes strategjik, ne do të kemi humbje të mëdha. Duhet të llogaritet sa janë shpenzimet për prodhimin e një kilogrami grurë, plus të shtohet 25 për qind e asaj vlere si fitim për bujqit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm ky parametër i ligjit të zbatohet”, thotë Sinani.

“Kjo mund të arrihet vetëm nëse shteti për rezervat shtetërore, që në korrik fillon me blerjen e grurit nga prodhuesit, dhe jo ne të mbetemi në mëshirën e mullisëve të cilët e diktojnë çmimin në bazë të interesave të tyre”, shton ai.

Zvogëlohet hapësira e tokës së punueshme

Në uljen e prodhimit të produkteve bujqësore ka kontribuar dhe ulje hapësirës së punueshme bujqësore.

Maqedonia e Veriut ka 1 milion e 265 mijë hektarë tokë bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, 517 mijë hektarë u shfrytëzuan si tokë e punueshme për kultivimin e produkteve bujqësore, përderisa pjesa tjetër u shfrytëzua për kullota.

Tri dekada më parë kanë qenë 660 mijë hektarë tokë e punueshme bujqësore, që i bie se kanë qenë 150 mijë hektarë më shumë sesa tani.

Maqedonia e Veriut brenda vitit ka nevojë për 200 mijë tonë grurë, ndërkohë që këtë vit pritet të prodhohen rreth 50 tonë më pak nga kjo vlerë, dhe pjesa tjetër e kërkesës duhet të importohet.

Gjatë vitit 1995, Maqedonia e Veriut kishte prodhuar 381 mijë e 226 tonë grurë, duke eksportuar një pjesë të grurit.

Njëherësh, po në vitin 1995 në Maqedoninë e Veriut janë prodhuar 22 mijë e 290 tonë farë lule dielli, përderisa në vitin 2020, shteti ka prodhuar vetëm 5 mijë e 532 tonë farë të lule diellit.

Rënie të madhe të prodhimit kanë pësuar dhe orizi, patatja, vezët dhe mishi.

Bujku Mehmet Sinani thotë se pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Maqedonia e Veriut duhet të vendosë në funksion të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos jetë e varur nga importi.

“Në Maqedoninë e Veriut ka bujq shumë të vlefshëm, shumë punëtorë, por matematikat tregojnë se në këtë lëmi nuk ka profit, nuk paguhet mundi dhe për këtë arsye të rinjtë lënë tokat e tyre dhe marrin valixhet për të dalë jashtë shtetit. Situata në Ukrainë na tregoi sa e rëndësishme është të kemi prodhim vendor. Më herët para, tri dekadash, Maqedonia e Veriut eksportonte grurë, tani mbetet e varur nga importi”, thotë Sinani.

Një problem tjetër është se të rinjtë gjithnjë e më pak janë të interesuar të merren me bujqësi, duke rritur në këtë formë shkallën e moshës së buqëve. Më shumë se 66 për qind e bujqve të regjistruar janë mbi moshën 55 vjeçare.

Ky është një problem serioz në prodhimin e ushqimit, thotë profesor Dragi Dimitrievski nga Instituti i Agroekonomisë.

Dimitrievski thotë se kushtet ekonomike, mungesa e infrastrukturës dhe investimeve janë shkaqet kryesore që i dëbojnë të rinjtë nga zonat rurale, duke zvogëluar kështu dhe kapacitetin e prodhimeve bujqësore.

Ai thekson se të rinjtë po largohen nga zonat rurale për arsye ekonomike dhe personat më të moshuar nuk mund t'i kultivojnë vetë prodhimet bujqësore me kapacitet të plotë. Nëse kësaj i shtohet edhe problemi me çmimet e ulëta të produkteve bujqësore, sipas tij, prodhimi i shumë kulturave strategjike është në rënie.

“Nëse themi se kemi tokë, ujë diell kjo vetvetiu nuk mjafton pasi këto paraqesin vetëm parakushtet që të zhvillohet bujqësia. Vendimtare mbetet organizmi dhe vënia në funksion e këtyre kapaciteteve me të cilat disponon Maqedonia e Veriut. Pra, theksi gjatë këtyre viteve shumë pak është vënë në përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rurale, zhvillimin dhe shumëllojshmërinë e aktiviteteve ekonomike rurale, si dhe trajnimin e bujqve për t’iu përshtatur standardeve që kërkohen në tregjet e vendeve të zhvilluara”, thotë Dimitrievski.

Ndërkohë, zyrtarët qeveritarë thonë se për të stimuluar sektorin e bujqësisë, bujqve të rinj u jepet tokë shtetërore me çmime shumë të volitshme.

Ministri i Bujqësisë, Lubço Nikollovski, është zotuar se toka shtetërore do t’u ndahet fermerëve të rijnë që realisht merren me bujqësi dhe jo ndërmjetësuesve që kanë lidhje të afërta me pushtetin, pasi sipas tij, kështu po ulet edhe kostoja e fitimit për bujqit.

“Ndarja e drejtë dhe jo selektive e tokës bujqësore te bujqit e vërtet do të thotë rritje e tokës së punueshme, rritje e prodhimeve bujqësore, rritje e konkurrencës dhe kualitetit”, ka theksuar ministri Nikollovski.

Tregu i garantuar mundëson rritjen e prodhimeve bujqësore

Por, bujqit thonë se sektori i bujqësisë do të jetë atraktiv në momentin që do të garantohet vendosja në treg i produkteve bujqësore.

“Përderisa nuk zgjidhet çështja e plasmanit, ne nuk mund të presim të zhvillohet bujqësia. Nëse edhe më tej vazhdon kriza e luftës në Ukrainë dhe ne si shtet nuk bëjmë ndryshime rrënjësore për sa i përket politikave në bujqësi, duke vënë fokusin në mbështetjen e bujqve përmes subvencioneve serioze, nuk mund të presim që të ndalet hovi i uljes së prodhimeve bujqësore”, thotë Biljana Petrovska nga Federata Kombëtare e Fermerëve.

Të dhënat e Entit shtetërorë të Statistikave thonë se Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar ka importuar produkte ushqimore në vlerë prej 700 milionë eurosh, ndërkohë që ka eksportuar diçka më pak se 400 milionë euro.

Bujqit thonë se shteti duhet të mendojë seriozisht rreth subvencioneve dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për blerje e prodhimeve vendore, për të mbajtur gjallë sektorin e bujqësisë, i cili është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG