Ndërlidhjet

Maqedonia e V. e blen shtrenjtë rrymën ditën, e shet lirë natën


Një termocentral në Manastir të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.
Një termocentral në Manastir të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Opozita në Maqedoninë e Veriut po akuzon pushtetin se po shet me çmim të lirë rrymën që po tepron gjatë natës, ndërkaq po blen me çmim të lartë energji gjatë ditës.

Autoritetet maqedonase kanë shpallur gjendje të krizës në sektorin e energjisë. Kjo masë ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë për 30 ditë.

Kreu i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, akuzoi partitë në pushtet se me shitjen e rrymës që mbetet tepricë gjatë natës, po “grabiten” qytetarët, pasi sipas tij, rryma po shitet me çmim shumë më të lirë, teksa çmimi në tregun e lirë ka arritur deri në 1 mijë euro për megavat.

Mickoski tha se nga 30 gushti deri më 6 shtator Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) kanë blerë për 337 euro megavatin e rrymës tepricë nga ETMT Energy. Kjo rrymë, sipas tij, ishte prodhuar nga ora 2 e natës deri në 7 të mëngjesit. Më pas, sipas liderit opozitar, EMV e ka shitur te Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) megavatin për 525 euro.

Sipas Mickoskit, nga kjo qytetarët janë dëmtuar për 10 milionë e 800 mijë denarë (175 mijë euro).

“Në vend se teprica e rrymës t’i ofrohet kompanive vendore, të cilat po luftojnë për të mbijetuar dhe për të mos i larguar punëtorët nga puna, paratë vidhen dhe përfundojnë në xhepa privatë”, tha ai.

Çështja e shitblerjes së energjisë nga kompanitë private rregullohet në bazë të Ligjit për energjetikë, i cili specifikon se të gjitha kompanitë duhet të licencohen për një veprimtari të tillë nga Komisioni rregullator për energjetik. Këto kompani paraqiten në këtë komision si subjekte për shitblerje të energjisë elektrike në tregun me shumicë.

Drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçeski, ka deklaruar se shitja e tepricës së energjisë elektrike bëhet në mënyrë transparente dhe çmimet janë në bazë të ofertave që merr kjo kompani.

“Për blerjen e rrymës që paraqitet si tepricë gjatë orëve të natës mund të lajmërohet çdo kompani private”, tha Kovaçeski dhe shtoi se nëse kjo sasi e rrymës nuk do të shitej, atëherë kompania do të detyrohej që ta lëshonte në rrjet dhe në këtë formë, nuk do të kishte asnjë fitim.

Teksa opozita po bën akuza ndaj pushtetit se po shet rrymë me çmim të lirë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është zotuar se autoritetet do të shfrytëzojnë të gjitha burimet që të rritet prodhimi i energjisë elektrike, në kohën kur i gjithë kontinenti evropian po përballet me krizë energjetike.

“Në periudhën në vijim, shteti duhet të blejë thëngjill shtesë, mazut dhe naftë. Të gjitha kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike do të vihen në punë”, ka deklaruar Pendarovski më 6 shtator pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kush është ETMT Energy?

Sipas të dhënave të regjistrit qendror, firma ETMT Energy është themeluar marsin e vitit 2021 dhe pronar figuron Ener Trade SHPK nga Tirana e Shqipërisë.

Dy muaj pas themelimit, kompania ETMT Energy, përkatësisht më 27 maj të vitit të kaluar mori licencën për tregtimin e energjisë elektrike nga Komisioni rregullator për energjetikë në Maqedoninë e Veriut.

VMRO-ja ka akuzuar partitë qeverisëse në Maqedoninë e Veriut se tregtia e energjisë me Shqipërisë ka edhe ndërlidhje politike. Kjo parti ka thënë se 50 për qind e pronësisë së Ener Trade është në emër të Artur Mickajt nga Shqipëria, i cili sipas VMRO-së, ka qenë në krye të Forumit Rinor të Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila është në pushtet.

Ndërkaq, 50 për qind e kompanisë, sipas VMRO-së, është në pronësi të Marin Gjonajt.

Eksperti i energjetikës, Konstadin Dimitrov, thotë se i gjithë ky proces i shitblerjes së energjisë elektrike mund të ketë shkelje ligjore, edhe pse e pranon që blerja e rrymës me çmim të ulët në Maqedoninë e Veriut dhe shitja e saj me çmim më të shtrenjtë në Shqipëri, është ligjore. Por, ai shton se transparenca në këtë proces lë shumë për të dëshiruar.

“E dyshimtë është se si kompania e parë ofertuese menjëherë arrin të blejë rrymë, e të njëjtën e shet në shtetin fqinj”, thotë ai.

Ai shton se në këtë kohë kur është shpallur gjendja e krizës me rrymë, tepricat e energjisë duhet t’u ofrohen komunave dhe bizneseve dhe nuk duhet që energjia të shitet.

Dimitrov thotë se është në interes të shtetit të ulet kapaciteti i prodhimit të energjisë gjatë natës, kur kërkesa është më e ulët dhe të rritet gjatë ditës, kur ka më shumë kërkesë. Ai thotë se një rritje e prodhimit gjatë ditës mund të bëhet nëse gjatë natës akumulohet më shumë ujë, në mënyrë që gjatë ditës të prodhohet energji përmes hidro-elektranave.

Sipas tij, në këtë rast del se Shqipëria ka një strategji më fitimprurëse pasi blen rrymë natën, me një çmim më të lirë dhe kursen hidro-energjinë për ta shfrytëzuar gjatë ditës, kur çmimi i energjisë elektrike është shumë më i lartë.

Ndryshe, më së shumti tepricë të rrymës Elektranat e Maqedonisë së Veriut kanë shitur gjatë muajit gusht. Nga janari deri në shtator, më së shumti tepricë të rrymës, EMV i ka shitur kompanisë private ETMT Energy.

Kompania ETMT që nga fillimi i vitit deri në shtator ka blerë 17 mijë e 990 megavat orë energji të prodhuar gjatë natës, Dancke Komoditis ka blerë 5 mijë e 160 megavat dhe kompania Gen-I ka blerë 4 mijë e 390 megavat tepricë të rrymës.

Vlera e rrymës që konsiderohet tepricë, të cilën e ka shitur EMV-ja deri më tash gjatë këtij viti ka arritur në 6 milionë e 116 mijë euro, që i bie se 1 megavat është shitur për rreth 200 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG