Ndërlidhjet

Manovrat ligjore të BE-së për t’i mbajtur figurat ruse në listën e zezë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Regjimi i sanksioneve i Bashkimit Evropian kundër Rusisë ka qenë goxha i luhatshëm në javët e fundit – në veçanti lista e entiteteve dhe njerëzve të cilëve blloku ua ngriu asetet dhe ua pezulloi vizat prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës dy vjet më parë.

Aktualisht, 2.177 njerëz dhe entitete janë në listën e zezë – që është rekord për masat ndëshkuese të Brukselit. Dhe, derisa blloku po e shqyrton mundësinë se a të shtojë më shumë emra këtë pranverë në një rund tjetër sanksionesh, tre persona u hoqën nga lista në fillim të marsit, kur ajo u ripërtëri, siç është zakon çdo gjashtë muaj, me vendim unanim të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Derisa ky është një numër i vogël në një skemë të madhe gjërash, individët e larguar nga lista ishin goxha të rëndësishëm – bashkëthemeluesi i gjigantit rus të internetit Yandez Arkady Volozh, biznesmeni Sergey Mndoinats dhe Jozef Hambalek, një shtetas sllovak dhe kryetar i klubit nacionalist rus të motoçiklistëve “Ujqit e Natës” në Evropë.

Hambalek ishte shtetasi i parë i Bashkimit Evropian që u fut në listën e zezë më 2022, derisa disa individë në listën e zezë kishin pasaportë të BE-së përveç shtetësisë së tyre ruse.

Kur të vijë koha për përditësimin e listës së plotë, gjasat janë të mëdha që më shumë emra të hiqen, për shkak të tre vendimeve së fundmi të gjykatës së përgjithshme të BE-së në Luksemburg, e cila i dha një goditje të madhe politikës së BE-së për sanksionet.

Më 20 mars, gjykata vendosi që Nikita Mazepin, dikur ngasës i Formula 1 dhe i biri i oligarkut rus, Dmitry Mazepin, duhet të hiqet nga lista e zezë.

BE-ja ka ngulur këmbë se Dmitry Mazepin është pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe se ai ka mbështetur veprime që ia kanë minuar integritetin territorial Ukrainës. Gjykata e BE-së i mbështeti arsyet e Brukselit për këtë përmes një vendimi historik. Por, kur bëhet fjalë për Nikita Mazepin, gjykata theksoi se BE-ja ka dështuar të japë ndonjë dëshmi për ndonjë lidhje mes babait dhe të birit përveç atyre familjare, dhe kjo nuk mjaftoi për të vendosur masa kufizuese ndaj këtij të fundit.

Dhe pastaj, më 10 prill, gjykata në Luksemburg ia dha goditjen e radhës ligjore Brukselit kur mori vendim që Petr Aven dhe Mikhail Fridman, që të dy aksionarë të mëdhenj në njërin prej institucioneve më të mëdha financiare të Rusisë, Alfa Bank, duhet të hiqen nga lisa e zezë gjithashtu.

Gjykatësit thanë se mund të ketë “një shkallë të afërsisë” mes Aven dhe Fridman në njërën anë dhe Putinit apo rrethit të tij në anën tjetër, por shtuan se BE-ja kishte dështuar të demonstronte se dyshja kishte mbështetur veprime dhe politika që e minojnë pavarësinë e Ukrainës, apo nëse ata kishin ofruar mbështetje financiare apo materiale për ta destabilizuar vendin.

Tani, është e rëndësishme të kujtohet se Nikita Mazepin, Aven dhe Fridman mbeten nën sanksione të BE-së. Si ka mundësi? Së pari, BE-ja mund të ankohet ndaj vendimit të gjykatës brenda një kohe prej dy muajve e dhjetë ditëve. Por, Brukseli po përdor edhe njëfarë manovre ligjore në regjimin e sanksioneve për t’i mbajtur ata në listën e zezë.

BE-ja argumenton se vendimet për tre burrat në fjalë e mbulojnë vetëm periudhën prej kur ata u futën në listën e zezë në shkurt 2022 deri në mars 2023. Prej atëherë, BE-ja e ka ripërtërirë listën e sanksioneve, përfshirë me emrat e të treve, në shtator 2023 dhe, së fundmi, muajin e kaluar.

Sipas BE-së, këto ripërtëritje janë më shumë se thjesht teknike; në fakt, ato prodhojnë lista të reja çdo gjashtë muaj, pasi disa emra shtohen dhe disa të tjerë hiqen.

Në këtë mënyrë, BE-ja po i detyron njerëzit e sanksionuar t’i sfidojnë përditësimet më të fundit të listës së sanksioneve në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Këto ankesa ligjore marrin kohë, dhe ripërtëritjet gjashtëmujore në mars dhe shtator vijnë zakonisht më shpejt sesa vendimet e drejtësisë në Luksemburg, që nënkupton se BE-ja shpesh ia del të jetë një hap përpara.

Kështu, për shembull, BE-ja ia doli ta mbante ish-presidentin ukrainas, Viktor Yanukovych, në listën e zezë në një regjim tjetër të sanksioneve të BE-së, që ka të bëjë me përvetësimin e fondeve shtetërore të Ukrainës, deri në vitin 2022, edhe pse ai e kishte fituar rastin e parë në gjykatën e BE-së më 2019 dhe pastaj i kishte shënuar edhe dy fitore të tjera ligjore në dy vjetët që pasuan.

Kjo kohë shtesë që Brukseli po ia blen vetes mund t’ia mundësojë atij të paraqesë dëshmi shtesë para gjykatës. Kështu ndodhi me Violetta Prigozhina, nënën e oligarkut dhe mercenarit të ndjerë rus, Yevgeny Prigozhin.

Në mars 2023, ajo u bë personi i parë që e fiton betejën ligjore ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, por blloku, sipas burimeve brenda rastit, ia doli të paraqesë hollësi shtesë, dhe ajo ka mbetur e sanksionuar prej asaj dite.

Deri më sot, 115 raste janë dorëzuar në gjykatën e BE-së për heqjen e njerëzve apo kompanive nga lista e sanksioneve – shpesh ato janë dorëzuar nga biznesmenë të pasur rusë, por të sanksionuar, të cilët kanë shpenzuar shuma të larta parash në avokatë evropianë për rastet e tyre.

Deri tani, BE-ja i ka “fituar” 33 dhe i ka humbur vetëm tetë raste, megjithëse tre rastet e humbura së fundmi mund ta vendosin një precedent dhe mund të rezultojnë në goditje të tjera ligjore për BE-në në muajt në vazhdim, kur priten vendime për raste të ngjashme.

Në fund, se a do të hiqen nga lista kjo treshe dhe mbase të tjerë në shtator, mbetet vendim politik. Hungaria, pothuajse sa herë që ndodh ripërtëritja e listave, tenton ta shfrytëzojë sa më shumë veton për ta ndryshuar tërë listën duke kërkuar që disa emra të hiqen nga ajo.

Në të kaluarën, BE-ja ia ka dalë ta sigurojë zgjatjen gjashtëmujore duke pranuar të largojë njerëz, shërbimi ligjor i të cilëve shënjohej si i “dobët” për shkak të provave të pamjaftueshme.

Vjeshtën e kaluar, për shembull, dy biznesmenë më pak të njohur rusë, Aleksandr Shulgin dhe Frakhad Akhmedov, u hoqën nga lista.

Por, duke e parë që Budapesti ka kërkuar më herët që Aven, Fridman dhe Nikita Mazepin të hiqen nga lista, ai pritet ta bëjë kërkesën e njëjtë përsëri së shpejti, posaçërisht duke e ditur se ata tani mbështeten edhe nga vetë vendimi i gjykatës së BE-së për këtë çështje.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG