Fitorja e Jakov Millatoviqit në zgjedhjet presidenciale pritej, por Mali i Zi po hyn në një fazë pasigurie, tha për Radion Evropa e Lirë, Vesko Garçeviq, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit.
Më 2 prill, votuesit në Mal të Zi zgjodhën Jakov Millatoviqin (36-vjeçar) si president të ri. Presidenti i mëparshëm, Millo Gjukanoviq (61-vjeçar) qëndroi në pushtet për 32 vjet - dy vjet e gjysmë më shumë se Partia e tij Demokratike e Socialistëve(DPS), e cila u zëvendësua në vitin 2020.
Gjukanoviq ka merita për pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin e tij në NATO, ai kundërshtoi Rusinë dhe ndikimin e politikës së Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Për Jakov Milatoviqin, ish-ministrin e Ekonomisë të Qeverisë së parë pas DPS-së, e formuar nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, programi që dyfishoi pagat minimale i solli popullaritet. Në zgjedhje ai pati mbështetjen e partive në pushtet, të cilat janë pro forcimit të lidhjeve me Serbinë dhe disa prej tyre me Rusinë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi do të mbahen më 11 qershor. Ato u shpallën për shkak të krizës institucionale që bllokoi integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Millatoviqi e mposhti bindshëm Gjukanoviqin, duke fituar 60 për qind të votave.
Profesori Garçeviq e sheh Millatoviqin e lëvizjes Evropa Tani si një lojtar politik që nuk është as politikisht as ideologjikisht unik.
"Në të [lëvizjen e Evropa Tani] kemi njerëz që janë shumë nacionalistë dhe gjithashtu kemi nga ata që, të paktën në nivel retorik, kanë një agjendë evropiane dhe euroatlantike. Ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike në Mal të Zi do të vazhdojë të forcohet, sepse partitë që do të vijnë në pushtet në qershor, pas zgjedhjeve parlamentare, janë të hapura ndaj një ndikimi të tillë”.
Forcimi i Evropës Tani dhe dobësimi i DPS-së
Lëvizja Evropa Tani, beson ai, do të vazhdojë të forcohet dhe ka shumë të ngjarë t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, si dhe të fitojë postin e kryeministrit:
"Duhet të presim për të parë nëse dhe sa do të ketë sukses kjo rrymë 'euro-atlantike' që t'i imponohet Evropës. Përveç kësaj, tani që Millo Gjukanoviq është larguar, koalicionet do të jenë më lehtë për t'u formuar dhe më vështirë për t'u mbajtur".
Ai beson se DPS-ja e Millo Gjukanoviqit do të vazhdojë të shënojë rënie në muajt e ardhshëm.
“Me shumë gjasa, në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, DPS-ja nuk do të jetë partia më e fortë individualisht për herë të parë në 30 vjet. Nëse nuk reformohet thellë, mund të ketë ndarje brendapartiake, të cilat mund të çojnë në përçarjen e partisë ”, thotë Garçeviq.
Shkaqet e rënies së DPS-së?
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit mbajti pushtetin në Mal të Zi për 30 vjet. Profesor Garçeviq e sheh shkakun e rënies së saj te fakti se partia nuk e reformoi apo nuk e ndryshoi retorikën e saj.
"Promovimi i çështjeve të identitetit duke detyruar ekskluzivisht malazezët, largoi shumë ish-votues të DPS-së. Partia nuk mësoi shumë nga humbja që pësoi më 2020, humbja në zgjedhjet lokale, dhe qytetarët e perceptojnë DPS-në si një simbol të korrupsionit", thotë Garçeviq.
Siç thotë ai, DPS-ja ishte e njohur për qasjen e saj praktike ndaj çështjeve të ndjeshme në Mal të Zi, duke përfshirë çështjet e identitetit.
"Kjo e lejoi atë të merrte mbështetjen e një elektorati shumë të ndryshëm. Këtë herë nuk ndodhi".
Garçeviq thotë se është e rëndësishme që të gjithë aktorët politikë në Mal të Zi të kuptojnë se pakicat kanë interesat e tyre autoktone politike dhe ekonomike, të cilat duhen respektuar:
"Nuk mund të mbështetesh tek ata. Duhet të bashkëpunosh me ta dhe t'i respektosh si subjekte politike autonome në shtetin e qytetarëve. Kthimi te pakicat vetëm në prag të zgjedhjeve dhe për hir të votave nuk do të jetë më i mundur".
Garçeviq thekson se presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nuk i kushtoi shumë kohë BE-së në fjalimet e tij parazgjedhore.
"Lëvizja Evropa Tani, në fakt, ka ofruar një lloj të ri populizmi në rajon me premtime për një jetë më të mirë dhe argumente kundër Qeverisë shumëvjeçare, duke shmangur temat që janë të ndjeshme dhe në të cilat Mali i Zi është i ndarë. Pasi të fitohet pushteti, si p.sh. një politikë e tillë nuk është më e mundur”, thekson Garçeviq.
Duke komentuar se si do të ndikojë fitorja e Millatoviqit në kursin e politikës së jashtme të Malit të Zi, Garçeviq thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t'i japin pak kohë lëvizjes Evropa Tani për të parë se për çfarë profili flet partia.
Gjatë fushatës, Millatoviqi nuk përmendi tema të politikës së jashtme, përveç mbështetjes së vazhdueshme të tij për integrimin evropian.
Më herët, me rastin e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, sa ishte ministër, ai kishte deklaruar se Mali i Zi është i vendosur me NATO-n dhe BE-në dhe se përveç pasojave shkatërruese për Ukrainën, efektet negative të sulmit të Rusisë do të ndihen në të gjithë Evropën.
Pas nisjes së agresionit rus kundër Ukrainës, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, e cila e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve armike.
Millatoviq e përkrahë edhe nismën Ballkani i Hapur, dhe po ashtu e kishte përkrahur nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, përmbajtja e së cilës është e diskutueshme nga perspektiva e Kushtetutës dhe karakterit laik të shtetit.
Kisha Ortodokse Serbe mbështet Kishën Ortodokse Ruse, e afërt me Kremlinin.