Ndërlidhjet

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, në të kaluarën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, në të kaluarën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kontekst të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Macron ka shprehur keqardhje edhe për dështimin e votimeve të 21 prillit në veri të Kosovës, për largim ose jo të kryetarëve, dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, me pjesëmarrje të komunitetit serb.

Sipas Presidencës franceze, ai i ka bërë këto deklarata në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të zhvilluar më 23 prill.

“Presidenti e ka mirëpritur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, është thënë në një komunikatë për media të Presidencës franceze.

Me kërkesë të Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës – organizatës lidere në fushën e të drejtave të njeriut.


Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në majin e vitit 2016, por autoritetet përgjegjëse nuk e patën zbatuar vendimin.

Kryeministri Kurti ka thënë se beson që Franca do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa ndonjë parakusht tjetër.

Ai i ka bërë këto komente në një postim në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Çështja tani ka kaluar në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht në maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Disa zëra në qarqet diplomatike kanë thënë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave, pikërisht për shkak se disa vende anëtare duan lëvizjen e Kosovës drejt formimit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Për kryetarët e komunave në veri

Gjatë bisedës me Kurtin, Macron ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“Macron ka rikujtuar se organizimi i zgjedhjeve të reja, sa më shpejt që është e mundur, është i domosdoshëm, me pjesëmarrje të popullsisë serbe”.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t'i vazhdojnë mandatet e tyre.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit për largim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.

Kjo parti ka pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Iniciativa për largim ose jo të kryetarëve është organizuar, pasi faktori ndërkombëtar ka kërkuar largim të kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke konsideruar se ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar – kur ata i kanë fituar zgjedhjet – ka qenë legjitim, megjithatë, ai nuk e ka reflektuar vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e ka bojkotuar procesin zgjedhor dhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.

Një ditë më parë, edhe ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, ka thënë se në veriun e Kosovës duhet të organizohen shpejt zgjedhje, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve.

“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”, ka thënë ai.

Në komunikatë është përmendur edhe mbështetja e palëkundur e Francës për pavarësinë e Kosovës dhe integrimet evropiane të këtij vendi.

Macron dhe Kurti është thënë të kenë biseduar edhe për rëndësinë e dialogut Kosovë - Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër më 2023.

Dy vendet patën arritur pajtueshmëri për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe më pas për një aneks zbatimi, mirëpo pak është bërë në atë drejtim.

Edhe vetë Kurti ka insistuar në zbatim të plotë të këtyre marrëveshjeve.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh prej vitit 2011, kur ka nisur procesi i dialogut, por jo të gjitha janë zbatuar.

BE-ja ka përsëritur disa herë se zgjidhja e të gjitha problemeve mes dy vendeve, është faktor tejet i rëndësishëm për rrugën e tyre evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG