Ndërlidhjet

Kosova bëhet me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt

Albin Kurti rizgjidhet kryeministër i Kosovës. 13 shtator 2026
Albin Kurti rizgjidhet kryeministër i Kosovës. 13 shtator 2026

Kuvendi i Kosovës e ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.

LVV-ja ka 53 deputetë në Kuvend, por Qeveria e re u mbështet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë - tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Tetë nga nëntë deputetët e Listës Serbe morën pjesë dhe votuan kundër.

Përbërja e kabinetit qeveritar mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë së tretë të drejtuar nga Kurti.

Kryeministër: Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë: Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim: Fikrim Damka

Ministër i Financave: Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare: Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme: Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike: Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë: Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës: Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit: Saranda Bogujevci

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Elbert Krasniqi

Ministër i Sportit dhe Rinisë: Blerim Gashani

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit: Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit: Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë: Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal: Rasim Demiri

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re pasi që tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.

Kurti tha se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarve dhe mbrojtja e familjeve.

“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.

Në politikën e jashtme, Kurti tha se synimi kryesor mbetet marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa deri në vitin 2030 synohet përparimi në bisedimet për anëtarësim. Ai premtoi zgjerimin e marrëdhënieve me vendet e NATO-s dhe BE-së, forcimin e diplomacisë dhe përpjekjet për njohjen e pasaportës së Kosovës në më shumë shtete.

Në mbrojtje, qeveria synon të ndajë mbi 1 miliard euro në katër vjet për ushtrinë. Kurti paralajmëroi zhvillimin e industrisë ushtarake për prodhimin e municionit, dronëve dhe robotëve, krijimin e një njësie të përbashkët ushtarake me Shqipërinë dhe themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës.

Në drejtësi, ai premtoi vazhdimin e vetingut, themelimin e një gjykate për çështje familjare dhe të një prokurorie të specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Proceset gjyqësore synohet të digjitalizohen.

Në arsim, qeveria synon dyfishimin e buxhetit për bursa, zgjerimin e çerdheve dhe arsimit parafillor, hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara dhe shtimin e 10 profileve në arsimin dual. Interneti i shpejtë dhe falas synohet të shtrihet në 1.000 institucione parauniversitare.

Në shëndetësi, Kurti premtoi mjek familjar për çdo qytetar, kontrolle të rregullta dhe programe për zbulimin e hershëm të kancerit. Sigurimet shëndetësore u tha se pritet të funksionalizohen, ndërsa buxheti për barnat esenciale të rritet deri në 100 milionë euro. U paralajmërua edhe ndërtimi i spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj.

Në mirëqenie sociale, shtesat për fëmijë do të dyfishohen, ndërsa paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet. Qeveria synon që paga mesatare në sektorin publik të kalojë 1.000 euro dhe të nisë zbatimin e pagës së 13-të në sektorin publik dhe privat.

Në ekonomi, Kurti premtoi një program prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri, si dhe themelimin e Bankës Zhvillimore. Brenda mandatit, ai tha se do të nisë themelimi i një kompanie ajrore me kapital publik.

Për transportin, synohet krijimi i një rrjeti të përbashkët në tërë Kosovën dhe një biletë mujore e subvencionuar prej 10 eurosh. Në turizëm, projekti i Brezovicës parashikon investime deri në 500 milionë euro.

Në energji, Kurti tha se synon rritjen e prodhimit nga era dhe dielli, ndërsa në infrastrukturë premtoi nisjen e hekurudhës Gjakovë-Shkodër dhe projekte të tjera rrugore e hekurudhore. Synimi tha se është që investimet kapitale vjetore të kalojnë 1 miliard euro.

Për diasporën, Kurti shtoi se synon të mbështesë deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë dhe të zgjerojë shërbimet konsullore digjitale.

Si u konstituua Kuvendi?

Kuvendi u shpall i konstituuar më herët gjatë ditës, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.

Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.

Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.

Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.

Kuvendi i Kosovës. 13 shtator 2026
Kuvendi i Kosovës. 13 shtator 2026

PDK-ja e kundërshton procesin

PDK-ja e ka kundërshtuar interpretimin se Kuvendi është konstituuar pa nënkryetarin e saj.

Kjo parti këmbëngul se nuk e ka refuzuar propozimin për nënkryetar, por është tërhequr përkohësisht nga procesi në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Sipas PDK-së, për këtë arsye Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar, pasi nuk ka nënkryetar nga radhët e saj.

“Duke mos refuzuar, Kuvendi s’ka mundur të konstituohet”, tha deputeti Përparim Gruda para selisë së PDK-së, në një konferencë për media.

Gruda pyeti se, nëse konsiderohet se PDK-ja ka refuzuar të propozojë kandidat për nënkryetar sepse mungoi në këtë seancë, atëherë pse LVV-së nuk iu mohua e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit kur nuk thërriste vazhdimin e seancës çdo 48 orë, siç përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit, me kërkesën që paraprakisht të arrihet marrëveshje me partitë e tjera për çështjen e presidentit.

PDK-ja ka bërë të ditur se në kërkesën që synon ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese do të përfshijë jo vetëm çështjen e konstituimit të Kuvendit, por edhe formimin e Qeverisë së re.

Në anën tjetër, Kurti tha se kurdo që PDK-ja të jetë e gatshme të propozojë kandidatin e saj për nënkryetar, deputetët e LVV-së do ta votojnë.

Çfarë ndodh tani?

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, dhe kryetari i Aleancës e kanë interpretuar procesin e fundit si pjesë të një skenari që çon drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, 60 ditët për zgjedhjen e presidentit, së bashku me 45 ditët për mbajtjen e zgjedhjeve, çojnë pikërisht te 27 dhjetori.

Kjo datë përkon me periudhën e festave të fundvitit, kur një pjesë e diasporës së Kosovës kthehet në vend.

Data është veçanërisht e rëndësishme për LVV-në, e cila në zgjedhjet e qershorit 2026 mori përqindje dukshëm më të lartë të votave nga diaspora sesa nga votuesit rezidentë.

LVV-ja mori rreth 73 për qind të votave me postë dhe 83 për qind të votave në përfaqësi diplomatike, ndërsa nga votat e qytetarëve rezidentë mori rreth 43 për qind.

Edhe pse 62 vota i mjaftuan LVV-së për ta formuar Qeverinë e re, ato nuk mjaftojnë edhe për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se do ta mbështesnin kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.

Por kjo kandidaturë ka shkaktuar përplasje brenda LDK-së. Gjashtë nga 18 deputetët e saj kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin.

Tashmë ka nisur rrjedhja e afatit prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG