Ndërlidhjet

Lukashenka kundërshton pretendimin e Putinit për planin e arratisjes së sulmuesve


Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Moskë, 6 prill 2023.
Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Moskë, 6 prill 2023.

Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha më 26 mars se sulmuesit, që kryen sulmin në sallën e koncerteve afër Moskës javën e kaluar, tentuan të ikin në shtetin e tij, por nuk mundën për shkak të masave shtesë të sigurisë.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, BelTA, Lukashenka citohet të ketë thënë se masat e sigurisë hynë në fuqi përgjatë kufirit mes Bjellorusisë dhe Rusisë që kur u bë e qartë se keqbërësit kishin udhëtuar në rajonin rus të Brjanskit, që gjendet në kufi me Bjellorusinë dhe Ukrainën.

Kur sulmuesit u larguan nga jugperëndimi i Moskës për në rajonin e Brjanskut, Bjellorusia shpejt ngriti pika të kontrollit.

“Prandaj ata nuk mundën që të hynin në Bjellorusi. Ata e kuptuan këtë, prandaj u kthyen dhe shkuan në zonën e kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë”, tha Lukashenka, që është aleat i Rusisë. “[Presidenti rus, Vladimir] Putin dhe unë nuk kemi fjetur për një ditë”, shtoi ai. “Ka pasur ndërveprim të vazhdueshëm”.

Putin ka pretenduar se të dyshuarit dëshironin që të largoheshin drejt Ukrainës. Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke thënë se Ukraina nuk është e përfshirë në sulmin ku u vranë 139 persona më 22 mars.

Grupi militant, Shteti Islamik Korasan ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe SHBA-ja dhe shtetet e tjera perëndimore kanë thënë se e vlerësojnë si të besueshëm këtë pretendim. Por, zyrtarët rusë vazhdojnë të insistojnë se Ukraina ishte e përfshirë në sulm.

Aleksandr Bortnikov, kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), më 26 mars përsëriti pretendimin e Putinit se jo vetëm Ukraina, por Perëndimi kishte rol në sulmin vdekjeprurës.

Pa ofruar asnjë dëshmi, Bortnikov pretendoi se agjencitë perëndimore të spiunazhit po ashtu mund të kenë të qenë të përfshira në sulm, edhe pse ai e pranoi se kishte pranuar një informacion nga SHBA-ja më herët gjatë marsit për një sulm të mundshëm terrorist.

Versioni i Lukashenkas për ngjarjet i bën jehonë komenteve të ambasadorit bjellorus në Rusi, Dzmitry Krutoy, i cili më herët tha se shërbimet speciale bjelloruse “ndihmuan Rusinë të përmbushin detyrën e parandalimit të terroristëve që të iknin përtej kufirit”.

Analisti politik, Artyom Shreibman, i tha Radios Evropa e Lirë se deklaratat e bëra nga Lukashenka dhe Krutoy janë në kundërshtim me ato që thotë Rusia. Nëse sulmuesit do të dëshironin të largoheshin për në Ukrainë, atëherë Bjellorusia “nuk kishte absolutisht çfarë të bënte”.

Shreibman tha se çdo përfshirje e Ukrainës nënkupton se do të ishte e nevojshme që të mendohej paraprakisht një rrugë për ikjen e sulmuesve. Ai tha se Putini dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë rusë po përpiqen që të promovojnë “narrativin ukrainas” për këtë sulm terrorist.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG