Ndërlidhjet

Lufta kundër kancerit të gjirit, kauzë e përbashkët


Fakti se numri i të prekurve nga kanceri i gjirit po rritet për çdo vit, është mjaft shqetësues dhe me shqetësime të tilla po përballet edhe Kosova, është thënë të shtunën në manifestimin informativ-kulturor dhe “Ecjen tradicionale të muajit të luftës kundër kancerit”.

Ky aktivitet është organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit "Jeta/Vita", e cila është formuar 11 vjet më parë, ndërkaq që manifestim i së shtunës është i dhjeti me radhë.

Nafije Latifi, drejtuese e kësaj qendre, ka thënë se “Ecjen tradicionale e muajit të luftës kundër kancerit”, tash e 10 vjet ka për qëllim sensibilizimin dhe vetëdijesimin e shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit, si dhe nxitjen e institucioneve përgjegjëse për krijimin e kushteve më të mira për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit në Kosovë.

“E nisëm me qëllimin më të mirë dhe përkundër sfidave të shumta, e bëmë realitet synimin që informata për kancerin e gjirit të arrijë në çdo shtëpi, te çdo grua, me fjalën e gjallë, me informata të ekspertëve mjekësorë, me fletëpalosje, broshura, punëtori në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që sëmundja të zbulohet më herët, në fazat e para kur mbijetesa është më e gjatë dhe më cilësore, kur trajtimet janë më të lehta dhe më të pakta, si dhe kur shpenzimet janë më të vogla, si për familjet, e ashtu edhe për shoqërinë”, ka theksuar Latifi.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Nafije Latifi, drejtuese e "Jeta/Vita"
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Nafije Latifi, drejtuese e "Jeta/Vita"

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka marrë pjesë në manifestimin tradicional, në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit, ka thënë se dëshmitarët dhe udhërrëfyesit më të mirë në përballjen me kancerin e gjirit, janë gratë që e kanë kaluar këtë sfidë.

“Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse të gjithë ne, e ndiejmë peshën tonë të përgjegjësisë. Na vjen mirë që një fushatë e tillë ndodh sot dhe është e dhjeta, pra, ndër vite. Njëkohësisht, obligohemi që të rrugëtojmë së bashku, me të gjithë ata mekanizma, pra edhe institucionet shëndetësore, por edhe mekanizmat tjerë, që të ndihmojmë në identifikimin e hershëm, diagnostikimin e hershëm. Të mos lejojmë që, diçka që kemi mundur ta kalojmë, ta mundë ndonjërën nga ne ose ndonjërin në jetën tonë në Kosovë”, është shprehur Haradinaj.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se pikëtakimi i së shtunës duhet të shërbejë si thirrje e përbashkët, për më shumë mbështetje institucionale për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit, me qëllim që të shpëtohen jetët.

“Mungesa e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, gjithashtu sfidon përgjigjen më efikase ndaj këtij kërcënimi. Prandaj, duhet të punojmë së bashku, për t’i tejkaluar këto sfida. Të bëjmë të pamundurën, që së bashku t’i parandalojmë vdekshmëritë nga kjo sëmundje. Institucioneve përgjegjëse u bëj thirrje që ta vendosin si prioritet parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje. E theksoj se sëmundja e kancerit të gjirit, është përballja dhe lufta jonë e përbashkët”, ka theksuar Jahjaga.

Ministri i Shëndetësisë i Qeverisë së Kosovës, Uran Ismaili, ka theksuar se dikasteri që ai drejton së bashku me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka arritur që të ngritë kapacitetet që i gjithë diagnostikimi dhe trajtimi të bëhet në Qendrën Klinike Universitare. Megjithatë, sipas tij, e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ju e keni përkrahjen time. Gjatë vitit të ardhshëm do të shihni një ngritje të madhe buxhetore që do të japë trajtim të duhur. Unë e di që keni mungesa në barna dhe në trajtim të shpeshtë. Unë do të jem aleat dhe partner i juaj dhe së bashku do të arrijmë të luftojmë, të mbijetojmë dhe të realizojmë edhe shumë projekte të tjera, së bashku me ju dhe familjet e juaja”, deklaroi Ismajli.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka theksuar se lufta ndaj kancerit të gjirit, duhet të jetë kauzë e përbashkët e të gjithëve.

“Janë disa kauza që shkojnë përtej politikave ditore, përtej fushatave. Janë kauza, të cilat na bashkojnë. Pikërisht, lufta kundër kancerit të gjirit është një kauzë e tillë, e cila na bashkon të gjithë neve”, ka thënë Ahmeti.

Aktualisht, në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në nëntëmujorin e vitit 2017, ka pasur 1.128 raste të trajtuara nga kanceri. Vetëm nga kanceri në gji, gjatë këtij nëntëmujori, janë trajtuar 450 raste.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG