Policia e Kosovës tha se mbajtja e një liturgjie në kishën në Prishtinë nuk ka qenë e paralajmëruar, teksa nga Kisha Ortodokse Serbe thanë se besimtarët janë parandaluar që të mbajnë një liturgji në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë.
Në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se në mëngjesin e sotëm, njësitë patrulluese kanë ndaluar një veturë në qendër të Prishtinës "me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj", duke shtuar se pas verifikimit ata janë "lënë të lirë për të vazhduar më tej".
"Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar", thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Nga Policia thanë se ngjarje të tilla zakonisht pothuajse shumica lajmërohen paraprakisht, me qëllim të lehtësimit të mbarëvajtjes së tyre.
Më herët gjatë 2 qershorit, Kisha Ortodokse Serbe ka akuzuar Policinë e Kosovës për, siç tha, ndalimin e mbajtjes së një liturgjie në Prishtinë.
"Më 2 qershor, Policia e Kosovës ua ndaloi priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjnë në Katedralen e papërfunduar të Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë", tha për Radion Evropa e Lirë famullitari i Prishtinës, Stanisha Arsiq.
Për Kosovën, katedralja është e kontestuar, pasi gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe UP-ja pretendon se ky objekt është ndërtuar ilegalisht në tokën e universitetit në vitet ’90.
Arsiq tha se ishte planifikuar që të mbahej një liturgji në prani të dhjetëra besimtarëve, me rastin e kremtes së Ditës së Shpëtimtarit [ngritjes së Krishtit në qiell, sipas besimit ortodoks], por policia pengoi ceremoninë.
“Na morën dokumentet, fotografuan automjetin dhe thjesht na penguan të hyjmë në kishë që të shërbejmë liturgjinë”, tha Arsiq.
Më 10 qershor 2021, për herë të parë që nga viti 1998, Peshkopi i Rashkës dhe i Prizrenit, Teodosije shërbeu një liturgji në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Kjo ngjarje u përcoll me protesta të studentëve të Prishtinës, të cilët kërkuan që objekti të rrënohet ose të kthehet në një muze, i cili do të ishte “pasqyrë e gjenocidit serbë kundër popullit shqiptar”.
Kreu i Listës Serbe, parti kjo kryesore e serbëve të Kosovës, Goran Rakiq, tha se ndalimi i mbajtjes së liturgjisë në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë ishte “shkelje e të drejtave themelore të njeriut të komunitetit serb në Kosovë si dhe goditje e drejtpërdrejtë për të gjithë serbët që jetojnë në këto hapësira”.
“Kjo që ndodhi mëngjesin e sotëm me klerikët dhe popullin besimtar, të cilët përveç shënimit të festës së madhe nuk kishin qëllim tjetër, është porosi e keqe dhe alarm i kuq për bashkësinë ndërkombëtare se gjërat duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë. Pra, se nuk ka barazi mes popujve dhe se me këtë veprim po dërgohet mesazh i qartë se serbët nuk mund të praktikojnë lirisht besimin e tyre në faltoret e tyre dhe nuk ka barazi fetare”, tha Rakiq.
Ndërkohë, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë ka reaguar me pretendimet se “veprimet e pacivilizuar” të Policisë së Kosovës janë dirigjuar nga ana e autoriteteve në Prishtinë dhe kjo tregon raportin e tyre ndaj lirive fetare në Kosovë”.
“Është koha e fundit që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ta shohin qartë se me çfarë persekutimi po përballen serbët në Kosovë dhe të ndërmarrin hapat e duhur për të mbrojtur të drejtat dhe liritë legjitime të popullit serb”, u tha në deklaratë.
Pse është e kontestuar Kisha e Krishtit Shpëtimtar?
Universiteti i Prishtinës thekson se Kisha e Krishtit Shpëtimtar gjendet brenda kampusit të UP-së dhe objekti është ndërtuar ilegalisht në tokën e universitetit ,në vitet ’90, gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit.
Për këtë çështje, aktualisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke u mbajtur një proces gjyqësor.
Në anën tjetër, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë pretendon se ka dokumentacionin që thotë se Universiteti, në vitin 1990, kishte pranuar që ta ndërtonte objektin e Kishës dhe se ekziston një vendim i autoriteteve të Komunës së Prishtinës i po atij viti.
Dokumenti thuhet se është vendim për plotësimin dhe ndryshimin e planit urbanistik të Universitetit në Prishtinë. Dyshohet se dokumenti mban datën e 26 shtatorit të vitit 1990 dhe është nënshkruar nga Hamdi Vraniqi i Këshillit të atëhershëm Ekzekutiv të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Gjithashtu, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë pretendon se në vitin 1991, kësaj kishe i është dhënë vendimi për ndërtimin e objektit dhe vendimi për regjistrim në kadastër.