Ndërlidhjet

Kushtetuesja pezullon Ligjin për paga


Gjykata Kushtetuese, foto nga arkivi.
Gjykata Kushtetuese, foto nga arkivi.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik.

Në një komunikatë për media të Gjykatë s Kushtetuese, thuhet të zbatohet “masa e përkohshme në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes se kë tij vendimi” dhe të “pezullohet menjëherë zbatimin e këtij ligji në kohëzgjatje të njëjtë”.

Ligjin për paga, më 6 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Ligji për paga është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, kurse në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi.

Sipas ligjit të ri, paga bazë është ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë (1:10), të shpërndarë në gjashtëdhjetë e nëntë (69) nivele të koeficientëve.

Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në koeficientet nga 1.85 deri 2.25 janë pozita të ndryshme të shërbyesve civilë, nga 2.5 deri në 5 janë përfshirë nga infermieri e deri te mjeku specialist.

Ndërkaq, më poshtë në pozitat nga 1.7 deri në 2.5, përfshihen përfaqësues të sistemit arsimit, bashkë me edukatorët e kopshteve deri te drejtorët e shkollave të mesme.

Ky ligj rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Por, punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, tashmë kanë filluar t’i shprehin pakënaqësitë e tyre. Disa kërkojnë që Ligji për paga të fillojë të zbatohet dhe pagat e dhjetorit t’i marrin me rritje.

Kurse disa të tjerë kërkojnë ky ligj të mos zbatohet, për shkak se e cilësojnë si ligj diskriminues.

Sindikata e punëtorëve të shërbyesve civilë, që llogaritën të jenë rreth 23 shërbyes civilë administratën lokale dhe qendrore të Kosovës, janë kundër zbatimit të këtij ligji.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se "paga mesatare e shërbyeseve civilë në Kosovë është 370 euro në muaj, kurse me ligjin e ri, ka ngritje të vogël të koeficinetit, që mund të marrin një rritje në pagë për 40 euro në muaj".

Sindikatat që kërkojnë zbatimin e ligjit tashmë kanë paralajmëruar greva. Federata Sindikale e Shëndetësisë ka paralajmëruar se më 13 dhjetor, 2019, duke filluar nga ora 7 deri në orën 15:00 të mbahet grevë e përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore.

Edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për ditën e premte ka paralajmëruar grevë dyorëshe, duke filluar nga çerdhet deri tek universitetet.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë veta. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.

Sipas Ligjit të ri për paga, zbatimi i së cilit u pezullua nga Kushtetuesja, paga mujore më e ulëta do të ishte ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro paga e mësimdhënësve të shkollës së mesme, profesori i universitetit do të kishte marrë pagë me rritje prej 1.505 euro, kryeprokurori 1. 912 euro, kryeministri 2.151 dhe presidenti i Kosovës do të merrte pagë mujore në vlerë prej 2.390 eurosh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG