Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.
Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti - i dhjeti me radhë - u mbajt të hënën në Berlin.
Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.
Scholz tha se marrëveshjet e reja "do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë".
Sipas tij, nuk duhet pritur edhe 10 vjet të tjerë që vendet nga rajoni të bëhen pjesë e BE-së.
"Procesi i Berlinit, ne, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e tyre evropianë... së bashku i dhamë një vrull të ri rajonit. Ne udhëhiqemi nga parimet e solidaritetit, barazisë dhe bashkëpunimit. Këto parime karakterizuan edhe takimin e sotëm jubilar", tha Scholz në konferencën për shtyp, pas takimit.
Çka është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor - Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut - dhe gradualisht t'i afrojnë ato më pranë BE-së.
Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.
Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.
Ky plan synon t'i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në, si dhe rritjen e tij ekonomike.
Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit - përveç Bosnje e Hercegovinës - duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t'i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.
Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Duke folur në konferencën për media pas samitit, von der Leyen tha se Plani i Rritjes "është më i rëndësishmi".
"Nëse dëshironi të përparoni, bashkëpunoni me të tjerët. Është një proces i bazuar në merita", tha ajo.
"Unë besoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së. Sundimi i ligjit dhe integrimi ekonomik janë të rëndësishëm. Prandaj, Procesi i Berlinit është një promotor i tregut të përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe është shumë e rëndësishme që ai të funksionojë pa probleme", tha von der Leyen.
Me marrëveshjen për qasjen në arsim të lartë, Scholz tha se synohet që studentët të studiojnë në universitete dhe institucione të arsimit të lartë kudo në rajon.
"Kështu afrohet gjenerata - jetojnë së bashku, studiojnë së bashku", tha Scholz.
Gjatë adresimit të tij në samit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli mes tjerash për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke njoftuar se Kosova, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do t'u mundësojë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës të hyjnë në vend me vetëm letërnjoftime.
Aktualisht, qytetarët e të dyja vendeve duhet të pajisen me viza për të hyrë në territorin e njëra-tjetrës.
Një marrëveshje për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor u arrit në vitin 2022, por nuk u zbatua plotësisht.
Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi. Bosnje e Hercegovina, e cila - sikurse Serbia - nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ratifikoi marrëveshjen për lëvizje të lirë.