Udhëheqësit evropianë – me përjashtim të Hungarisë – mbështetën presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një samiti në Bruksel, teksa Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për të zhvilluar më shumë bisedime me qëllim që t’i jepet fund luftës me Rusinë.
Duke folur në samitin në Bruksel më 6 mars, Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që ta detyrojnë Kremlinin që të ndalë sulmet ajrore dhe detare ndaj Ukrainës si hap drejt ndërtimit të besimit dhe përparimit në negociata për përfundimin e luftës trevjeçare.
“Të gjithë duhet të sigurohen që Rusia, si burimi i vetëm i kësaj lufte, të pranojë se duhet ta përfundojë luftën”, tha Zelensky gjatë samitit në Bruksel.
Pas takimit, ai shkroi në rrjetet sociale se do të udhëtojë për në Arabi Saudite javën e ardhshme dhe pas kësaj, “ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët amerikanë”.
Pas takimit të krizës në Paris dhe Londër, samiti i 6 marsit u përqendrua në rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në Evropë, pasi Shtetet e Bashkuara pezulluan ndihmën për Ukrainën dhe sinjalizuan se Evropa duhet të luajë rol më të madh për sigurinë e saj.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nisi takimin duke paralajmëruar se “Evropa përballet me një rrezik të qartë dhe të pranishëm”, duke thënë se është e nevojshme që Evropa “të jetë në gjendjen të mbrojë veten”.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Evropën dhe Ukrainën si pjesë e familjes sonë evropiane”, tha ajo. “Është po ashtu moment shumë i rëndësishëm për Ukrainën”.
Pas disa orësh diskutime, Këshilli Evropian miratoi një deklaratë ku thuhej se lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe pasojat e luftës për sigurinë evropiane dhe botërore “përbëjnë sfidë ekzistenciale për Bashkimin Evropian”.
“Në këtë kontekst, BE-ja do të përshpejtojë mobilizimin e instrumenteve të nevojshme dhe financimit për të rritur sigurinë dhe për të mbrojtur qytetarët e bllokut”, u tha në konkluzionet e miratuara.
Dokumenti, që përfshin edhe mundësinë që anëtarëve t’iu ofrohet fleksibilitet fiskal në shpenzimet për mbrojtjen dhe mbështetë idenë e ofrimit të huave të mbështetura nga BE-ja për anëtarët deri në 150 miliardë euro për t’i shpenzuar për ushtritë e tyre, u miratua nga 27 anëtarët e BE-së, përfshirë Hungarinë.
Më herët gjatë ditës, Budapesti e bëri të qartë se nuk do të mbështesë një deklaratë që e mbështet Ukrainën, edhe pse Hungaria u pajtua që të rriteshin shpenzimet për mbrojtje.
Samitit i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por, prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar, pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Gjatë fjalimit, Zelensky falënderoi të pranishmit për mbështetjen gjatë luftës, duke iu bërë thirrje që “rusët të mos na ndajnë” në çdo proces bisedimi “për një marrëveshje të drejtë, gjithëpërfshirëse me garanci të sigurisë që do t’i jepte fund luftës”.
“Hapi i radhës është besimi në rrethanat në të cilat po zhvillohen negociatat... Lirimi i të burgosurve mund të jetë një gjë përmes së cilit mund të ndërtohet besimi”, tha ai.
Cili është plani për riarmatosjen e Evropës?
Plani për forcimin e mbrojtjes është paraqitur nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 4 mars, i quajtur riarmatosja e Evropës.
Këshilli Evropian e ka mbështetur atë. Në konkluzionet e publikuara thuhet se blloku evropian duhet të përshpejtojë mobilizimin që të rrisë sigurinë e saj.
“Duke bërë këtë, BE-ja do të përforcojë gatishmërinë e mbrojtjes, do të zvogëlojë varësitë e saj strategjike, do të adresojë boshllëqet e rëndësishme të kapaciteve të saj dhe do të forcojë bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes evropiane, në mënyrë që të sigurojë pajisje në sasinë dhe ritmin e nevojshëm”, thuhet në konkluzionet.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur një plan për mbrojtjen, që ajo e ka quajtur riarmatosja e Evropës.
Plani parashikon lëshimin e deri në 800 miliardë eurove për shtetet anëtare të BE-së për t’i shpenzuar për mbrojtjen.
Këshilli Evropian tha se mirëpret këtë plan dhe i bëri thirrje KE-së që të propozojë burime të tjera shtesë për financimin e mbrojtjes në nivel të BE-së.
Në konkluzione përmendet rritja e mbrojtjes ajrore, raketave e municioneve, dronëve, armëve precize, mbrojtjes kibernetike, inteligjenca artificiale dhe lufta elektronike.
Këshilli tha se BE-ja duhet të forcojë mbrojtjen në kufijtë e saj tokësorë, detarë e ajrorë, veçmas kufijtë lindorë, “duke pasur parasysh kërcënimet që paraqesin Rusia dhe Bjellorusia.
Në konkluzione thuhet se planet më të hollësishme për mbrojtjen do të miratohen në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së më 20-21 mars.
Para samitit, letra e von der Leyen mori përgjigje pozitive.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se ky është "hapi i parë i rëndësishëm", ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis postoi në rrjetet sociale: "Tani duhet të punojmë për t’i shtjelluar hollësitë".
A mund të mbrohet Evropa pa ndihmën e SHBA-së?
Plani vjen në një kohë kur Uashingtoni njoftoi pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, dhe për disa, kjo është përpjekje e Evropës për t’u përgatitur për skenarin më të keq pa ombrellën amerikane të sigurisë.
Në përgjithësi, politikanët evropianë e kanë hedhur poshtë këtë.
"Ne nuk duhet të heqim dorë nga SHBA-ja", tha ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, më 4 mars, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer u tha gazetarëve në konferencën e Londrës gjatë fundjavës: "Unë nuk pranoj që SHBA-ja të jetë aleat i pasigurt".
Por, fakti se ata po i thonë këto gjëra është një shenjë e shqetësimit të Evropës nga vendimet dhe deklaratat që po vijnë nga Uashingtoni.
Dhe, në prag të samitit, Presidenti francez Emmanuel Macron ngriti dyshime të tjera.
"Unë dua të besoj se SHBA-ja do të mbeten përkrah nesh", tha ai në një fjalim televiziv drejtuar kombit. "Por, ne duhet të jemi të përgatitur nëse kjo nuk ndodh".
A mund Zelensky t’i ndreqë marrëdhëniet me Trumpin?
Përqendrimi kryesor mbetet rregullimi i marrëdhënieve të krisura mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Zelenskyt. Ka pasur disa lëvizje në këtë drejtim në ditët para samitit.
Në fjalimin e tij në Kongres më 4 mars, Trump tha se Zelensky i kishte shkruar atij pas përplasjes së fundit në Zyrën Ovale, dhe se lideri ukrainas është i gatshëm të kthehet në tryezën e negociatave.
Të nesërmen, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, i tha Fox News se pezullimi i ndihmës ushtarake mund të hiqej nëse Ukraina do ta nënshkruajë një marrëveshje që i jepte Uashingtonit qasje në pasuritë e saj minerale – një mundësi që, sipas një zyrtari të SHBA-së, është ende e mundur pasi Zelensky shprehu pendesë për përplasjen me Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, më 5 mars, një zëdhënëse e qeverisë franceze i tha gazetarëve se presidenti Emmanuel Macron po shqyrtonte një vizitë të përbashkët në Uashington me Zelenskyn dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
Por, një zyrtar i Parisit më vonë sqaroi se nuk kishte ende plane të përcaktuara për këtë.
Çështja e Ukrainës mund të zbulojë gjithashtu mungesën e unitetit të BE-së në samitin e veçantë.
Pas fjalimit të tij televiziv drejtuar kombit më 5 mars, Macron pati një darkë me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Pallatin Elysee në prag të samitit.
Qëllimi i tij ishte ta bindte Orbanin, i cili ka zhvilluar lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, që ta mbështesë një deklaratë që mbështet Ukrainën.
Është e mundur që Hungaria ta nënshkruajë planin për riarmatim, por ta refuzojë miratimin e konkluzioneve për Ukrainën.
Në fjalimin e tij televiziv, Macron tha se do të ishte "çmenduri" të shpërfillej kërcënimi që tani përbën Rusia për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent.
Kush mund të dërgojë trupa në Ukrainë?
Siç u tha, ky takim pason një seri takimesh të mëparshme për krizën, më së fundmi në Londër më 2 mars.
Një pikë kyçe nga ai takim ishte se Britania e Madhe, Franca dhe shtete të tjera do të punonin për një plan të përbashkët paqeje me Ukrainën, të cilin do ta çonin më pas në Uashington. Mund të ketë disa diskutime për këtë në margjinat e Brukselit.
Një pikë tjetër kyçe nga bisedimet e fundit është plani për të formuar një forcë ushtarake evropiane për ta dërguar në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi ose paqeje.
Deri tani, Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se janë gati të dërgojnë trupa në terren. Starmer tha në Londër se edhe shtete të tjera janë angazhuar, por refuzoi t’i emëronte ato.
Një zyrtar i lartë i BE-së konfirmoi se shtetet anëtare kanë shprehur gatishmërinë, por "të hysh në detaje është ende herët." Megjithatë, ai shtoi, "duhet të fillojë puna dhe ky Këshill Evropian është një moment i mirë për të nisur atë punë".