Ndërlidhjet

LDK dhe AAK nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit


Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa. Foto nga arkivi.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa. Foto nga arkivi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka finalizuar marrëveshjen e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e qeverisë së re.

Marrëveshja është nënshkruar gjatë një takimi të zhvilluar mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Sapo përmbyllëm një takim me Mustafën dhe me të nominuarin për kryeministër (v.j. Avdullah) Hotin dhe ne arritëm marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do t’i ketë katër ministri si dhe një post të zëvendëskryeministrit të parë.

Sipas marrëveshjes, zëvendëskryeministër i parë do të jetë Besnik Tahiri. Kurse ministritë që do të udhëhiqen nga AAK janë: Ministria e Punëve të Jashtme me ministren e propozuar Meliza Haradinaj-Stublla, Ministria e Drejtësisë me ministrin e propozuar Selim Selimi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik me në krye Blerim Kuqin dhe Ministria e Arsimit me ministrin e propozuar, Ramë Likaj.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti tha se është në proces të përmbylljes së bisedimeve me partitë politike për qeverinë e re, të cilën ai pretendon se do ta drejtojë së shpejti.

“Sa më parë që i përmbyllim marrëveshjet, menjëherë do të procedojmë për në Kuvend”, tha Hoti.

Duke iu përgjigjur një deklarate të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli se vendi duhet të shkoj në zgjedhje sapo të përfundojë pandemia e koronavirusit, Hoti tha se “vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, përderisa të ketë një shumicë parlamentare në Kuvend”.

Në marrëveshjen e nënshkruar nga krerët e LDK-së dhe AAK-së, mes tjerash thuhet se marrëveshja është arritur duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës, “të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe obligimin për themelimin e institucioneve legjitime, funksionale e demokratike”.

Të dy partitë pajtohen edhe rreth prioriteteve kryesore të qeverisë në pritje, duke veçuar angazhimin për t’u përballë me pandeminë e koronavirusit, rimëkëmbjen ekonomike, forcimin e shtetit ligjor si dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë. Njëherësh, të dy partitë e koalicionit zotohen të luftojnë krimin e korrupsionin si dhe të forcojnë partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se pritet që tash LDK të finalizojë edhe marrëveshjet me partitë tjera para se të nisin procedurat në kuvend për formimin e qeverisë. Sipas tij, shumë shpejt do të lëvizet drejt vendimit dhe votimit në kuvend për qeverinë e drejtuar nga LDK-ja.

Përkundër paralajmërimeve nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje se formimin e kësaj qeverie do ta dërgojë për aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese, LDK po e vazhdon procesin e negociatave edhe me subjektet politike pwr finalizimin e marrëveshjeve. Ajo pret që sapo t'i përfundojë të gjitha marrëveshjet,presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi t’i japë edhe zyrtarisht mandatin kandidatit të saj për kryeministër Avdullah Hoti, që të kërkojë votimin në kuvend të qeverisë së re.

Negociata për koalicion dhe për vota në Kuvend

Gjatë ditës, LDK kishte paralajmëruar se do të nënshkruante marrëveshje edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe partitë nga radhët e komuniteteve joserbe.

Për sa i takon Listës Serbe, kandidati Hoti ka deklaruar të mërkurën se tashmë kanë përfunduar bisedimet, por jo edhe me komunitetet tjera.

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë në largim, Emilja Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak që përfaqësohet me një deputetë në Kuvend, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se partia e saj nuk do ta mbështesë qeverinë e re që po synohet të formohet.

Qeveria zgjidhet përmes votimit në kuvend, me të paktën 61 vota për.

Pjesë e qeverisë së ardhshme, nëse ajo do të formohet, nuk pritet të jenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 30 deputetë dhe Partia Demokratike e Kosovës që ka 24 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në opozitë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, sipas liderit të saj Kadri Veseli, nuk do të votojë për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja me partitë partnere.

“Asnjë deputetë i PDK-së nuk voton qeveri të mashtrimeve. LDK dhe LVV janë përgjegjëse për këtë gjendje të krijuar dhe ato duhet të gjejnë zgjidhje. Ne kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja demokratike pas pandemisë”, ka deklaruar Kadri Veseli.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar të turpshme dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve marrëveshjen në mes LDK-së dhe AAK-së.

Lëvizja Vetëvendosje, në fakt, është duke pritur që formimin e kësaj qeverie ta kontestojë përmes ngritjes së lëndës në Gjykatën Kushtetuese, sapo që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të publikojë dekretin me të cilin i jep mandatin LDK-së të formojë qeverinë e re, duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Përpos Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me raportin dhe rolin e presidentit në procesin e formimit të qeverisë, Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, paralajmëron se do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

Qeveria aktuale në detyrë e kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi në kuvend më 25 mars, ende pa i mbushur dy muaj të funksionimit të saj. Që atëherë, presidenti i Kosovës i ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

Më 22 prill, presidenti Thaçi ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG