Lavditë e humbura të Budapestit

Amos Chapple

1 janar 2024

Para Luftës së Dytë Botërore dhe një diktature komuniste, e cila e shkatërroi Budapestin në shekullin XX, kryeqyteti hungarez ishte shtëpi e disa thesareve arkitekturore që tani ekzistojnë vetëm në fotografi.

Klikoni mbi secilën nga fotot e mëposhtme nga arkivi për të zbuluar se si duken ato tash.

Caption
Ura Elizabeth e fotografuar në vitin 1943. Struktura u hodh në erë nga forcat gjermane teksa po tërhiqeshin në janar të vitit 1945 pas rrethimit të Budapestit. Mbetjet e përdredhura të urës qëndruan si një kujtesë e luftës për gati dy dekada para se të përfundohej një urë zëvendësuese utilitare më 1964. | Foto nga arkivi: Fortepan/ETH Zurich/Agnes Hirschi
Caption
Banjat Margaret, të ndërtuara mbi një burim të nxehtë natyror të ujit në ishullin Margaret. Banja u dëmtua në luftë, më pas u grabit nga trupat sovjetike pas pushtimit të Budapestit nga Ushtria e Kuqe më 1945, kurse më 1950 u shkatërrua përfundimisht. Ajo u zëvendësua me një hotel SPA të ndërtuar në një stil brutal, që është edhe sot. | Foto nga arkivi: Fortpan/Laszlo Laitai
Caption
Teatri Kombëtar i Hungarisë, i fotografuar në vitin 1964. Një vit më pas, ndërtesa u shkatërrua nga autoritetet komuniste, gjoja për të lejuar gërmimin e një tuneli metroje nën të nëpër tokën e paqëndrueshme. Dyshimet se shkatërrimi ishte një mesazh për hungarezët me mendje të pavarur, u përforcuan me sa duket nga zgjedhja e 15 marsit si datë për të filluar prishjen. Kjo datë është një nga përvjetorët më të rëndësishëm kombëtarë të Hungarisë, duke shënuar një kryengritje të shekullit XIX kundër sundimit austriak. | Foto nga arkivi: Fortepan/MZSL/Karoly Ofner
Caption
Dunapolota, një hotel luksoz i ndërtuar fillimisht nga kompania Ritz, dukej kështu në vitin 1943. Ndërtesa u dëmtua rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë u shkatërrua për t'i hapur rrugë hotelit Forum, i cili u hap më 1981 dhe tani mban emrin InterContinental. | Foto nga arkivi: Fortepan/ETH Zurich/Agnes Hirschi
Caption
Kisha Regnum Marianum, buzë Parkut të Qytetit të Budapestit, fotografuar në vitin 1936. Kisha u ndërtua si një simbol i "mirënjohjes" për rënien e Republikës jetëshkurtër Sovjetike Hungareze të vitit 1919. Simbolika e kishës e bëri atë një objektiv të qartë për regjimin e majtë që mori pushtetin në Hungari pas pushtimit së Budapestit nga Ushtria e Kuqe. Në vitin 1951, kisha u shkatërrua dhe një monument i fortë që lavdëronte Republikën Sovjetike të vitit 1919 u ngrit në atë vend. | Foto nga arkivi: Fortepan/Ted Grauthoff
Caption
Ndërtesa e Muzeut të Shkencës, Teknologjisë dhe Transportit në cepin lindor të Parkut të Qytetit të Budapestit, fotografuar në vitin 1896. Muzeu madhështor u dëmtua nga bombardimet në vitin 1945 dhe u rindërtua në një stil të errët para se të shkatërrohej përfundimisht. Kishte plane për të rindërtuar ndërtesën origjinale deri në vitin 2018, por sot vendi mbetet një tokë e askujt, e rrethuar me gardh. | Foto nga arkivi: Fortepan/Arkivat e Qytetit të Budapestit/Gyorgy Klosz
Caption
Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë e Hungarisë u fotografua në vitin 1921. Selia e ministrisë u dëmtua rëndë në Luftën e Dytë Botërore dhe mbetjet e saj u shkatërruan në vitin 1948. Mbi zonën ku ishte ndërtesa tani janë një rrethrrotullim dhe një park. | Foto nga arkivi: Fortepan
Caption
Një pavijon i ndërtuar rreth një burimi natyror në bazën e kodrës Gellert që flluskonte me ujë të ngrohtë dhe pak radioaktiv, fotografuar në vitin 1910. Sot një shatërvan "uji i pijshëm mjekësor" (prapa dyerve gri që shihen në foton e vitit 2023) që del nga i njëjti burim është futur në strukturën e urës së rindërtuar Elizabeth. | Foto nga arkivi: Fortepan/Muzeu Gjeografik Hungarez
Caption
Pikat e pagesës së taksës rrugore në skajin perëndimor të Urës së Lirisë, të fotografuara në vitin 1906. Pagesa për kalimin e Danubit u përdor për të rikthyer paratë e shpenzuara për ndërtimin e disa prej urave elegante të Budapestit. Pas vitit 1918, kërkesa e urryer e pagesës përfundoi dhe pothuajse të gjitha pikat e pagesës u shkatërruan pasi u dëmtuan në Luftën e Dytë Botërore. Sot, dy pikat e vetme të mbetura të pagesës ndodhen të dyja në hyrjen lindore të Urës së Lirisë. | Foto nga arkivi: Fortepan/Deutsche Fotothek/Bruck & Son
Caption
Një memorial për marinarët e Hungarisë në urën Petofi të Budapestit, fotografuar në vitin 1943. Monumenti, i cili ishte rreth 30 metra i lartë, ishte vendosur në përkujtim të ushtarakëve të Marinës Austro-Hungareze, të cilët u vranë në Luftën e Parë Botërore. Monumenti u shkatërrua nga forcat naziste derisa po tërhiqeshin duke shkaktuar një shpërthim në urë në vitin 1945. | Foto nga arkivi: Fortepan/Istvan Diveky
Caption
Një shatërvan në veri të Budapestit me një figurë gruaje, i fotografuar në vitin 1900. Në vitin 1942, një mbikalim për këmbësorët u hoq dhe sot ka mbetur vetëm statuja. | Foto nga arkivi: Fortepan/Arkivat e Qytetit të Budapestit/Gyorgy Klosz
Caption
Pikat e pagesës në skajin perëndimor të urës me zinxhirë, Szechenyi, fotografuar rreth vitit 1890. Ura u restaurua pas shkatërrimit të saj nga forcat gjermane derisa po tërhiqeshin në vitin 1945, por pikat e pagesës nuk u rindërtuan. | Foto nga arkivi: Fortepan/Arkivat e Qytetit të Budapestit/Gyorgy Klosz
Caption
Hapësira perëndimore e Pallatit Buda e fotografuar në vitin 1930. Pallati ishte një nga bastionet e fundit të rezistencës naziste ndaj avancimit të Ushtrisë Sovjetike në Budapest në dimrin e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe u dëmtua rëndë, kryesisht nga zjarri i artilerisë. Rindërtimi i pallatit nën qeverinë komuniste të Hungarisë ia ndryshoi rrënjësisht pamjen ndërtesës. Zbukurimet e stilit të barokut "të panevojshme", u hoqën dhe kupola kryesore u zhvendos disa metra nga pozicioni i saj origjinal. Sot, janë duke u zhvilluar punime masive rinovimi për t’ia rikthyer pallatit lavdinë e tij të mëparshme. | Foto nga arkivi: Fortepan/Olbert Mariann
Caption
Sheshi Calvin në qendër të Budapestit fotografuar rreth vitit 1900. Shumica e ndërtesave përreth sheshit u shkatërruan gjatë rrethimit të Budapestit në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk u restauruan kurrë. Nga të gjitha strukturat që shihen në imazhin e mësipërm të marrë nga arkivi, sot ka mbetur vetëm ndërtesa e Muzeut Kombëtar Hungarez (ndërtesa në qendër). | Foto nga arkivi: Fortepan/Arkivat e Qytetit të Budapestit/Gyorgy Klosz