Në dy senaca plenare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen kornizë ushtarake me Turqinë.
Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kishe mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.
Sipas ligjit në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.
Sipas Qeverisë së Kosovës, marrëveshja me Turqinë parasheh bashkëpunim, ndër të tjera, në operacione paqeruajtëse, humanitare dhe kundër terrorizmit.
“Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: stërvitje dhe edukim ushtarak, industri dhe mbrojtje, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare kundër terrorizmit e të tjera”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci, derisa e arsyetoi marrëveshjen në mungesë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Dy prej marrëveshjeve ndërkombëtare nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve gjatë seancave plenare të 16 majit: Traktati ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, si dhe Marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.
Me përkrahjen e deputetëve nga partitë opozitare, u arrit miratimi, ndër të tjera, edhe i Ligjit për ratifikimin e “amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.
Ligjvënësit mbështetën edhe marrëveshjen me me Bankën Evropiane për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj.
Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje arrin vlerën prej 20 milionë eurove.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi Ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm.
Deputetët miratuan edhe Ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimit Evropian në atë që quhet Programi i tregut të vetëm.
Në seancën e 16 majit, u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.
Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovosës bëri të ditur më 15 maj se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm një ditë pasi kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Marrëveshjet ndërkombëtare arrijnë vlerën e 300 milionë eurove, ka thënë më herët ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në seancën e së enjtes, që është vazhdim i asaj që është mbajtur më 2 maj, në rend dite ishte edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, votimi u shty për një seancë tjetër meqë sipas tyre “rezoluta nuk është e plotë”.
“Kërkojmë më tepër kohë për [harmonizimin e qëndrimeve] për plotësimin e rezolutës”, tha shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.