Mustafa, deputetëve: Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka konsideruar të mërkurën, si ditë të madhe për Kosovën, pas zgjedhjes së Avdullah Hotit si kryeministër i Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka uruar të gjitha partitë e koalicionit dhe partitë tjera që kanë votuar përbërjen e re qeveritare.
“Urime deputetë që votuat pa hezituar dhe pa u frikësuar! Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën. Sot përcollëm një ekspoze të qartë, konkrete me orientime vizionare të Kryeministrit tonë. Të njeriut me tipare humane, me dije të thella shkencore; i thjeshtë dhe i afërt me njerëz. Nuk e ofendoi askënd; apeloi për ura bashkëpunimi; reflektoi vullnet të paskajshëm për familjen evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mustafa.
Megjithatë gjatë ditës së mërkurë, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për qeverinë e re, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për derisa vota e deputetit Shala po konsiderohet vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri.
Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.
Kurti: Kjo qeveri është e paligjshme dhe qeveri koti
Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është “qeveri e paligjshme” dhe siç u shpreh ai “koti”.
Përmes një video-mesazhi nga zyra e kryeministrit, Kurti tha se të enjten nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së kryeministrit te Hoti.
“Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër, nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, tha lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Hotin për kryeministër, Kurti tha se me këtë vendim, Kushtetuesja ka zhvlerësuar veten.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar vetën e tyre si Gjykatë”, tha Kurti.
Kuvendi i Kosovës votoi të mërkurën për Qeverinë Hoti me 61 vota për. Deri te kjo erdhi pasi qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars.
Ambasada britanike përgëzon "formimin paqësor të Qeverisë së re të Kosovës"
Ambasada britanike në Prishtinë ka përgëzuar formimin paqësor të qeverisë së re në Kosovë, si dhe ka uruar Avdullah Hotin për pozitën e kryeministrit.
Megjithatë, kjo ambasadë ka theksuar se qeveria e re do të ketë disa sfida përpara, teksa ka theksuar emergjencën shëndetësore të krijuar pas shpërthimit të koronavirusit të ri.
“Është e rëndësishme që qeveria e re synon të krijojë konsensus dhe unitet përreth ndasive politike”, është thënë mes tjerash në reagim.
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për.
Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.
Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.
Lajçak "mezi pret" të punojë me Hotin
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën se ka mezi pret të punojë me kryeministrin e ri të Kosovës, Avdullah Hoti, në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Qeveria Hoti është votuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.
“E urova Avdullah Hotin për zgjedhjen e tij në postin e kryeministrit të Kosovës, gjatë bisedës telefonike që patëm sot. Mezi pres të punoj me të në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për perspektivën evropiane për popullin e Kosovës”, ka shkruar në Lajçak në një postim në rrjetin social, Twitter.
Dialogu mes këtyre dy vendeve është pezulluar prej kur autoritetet e Kosovës kishin vënë taksë 100 për qind në mallrat serbe, në nëntor të vitit 2018.
Kryeministri në shkuarje, Albin Kurti ka zëvendësuar këtë masë me reciprocitet më 1 prill të këtij viti, derisa një tjetër vendim për zgjerim të këtij vendimi e ka marrë fundjavën e kaluar.
Në vendim është thënë se mallrat që nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë.
Lajçak ka reaguar duke thënë se ky masë ka qenë zhgënjyese për të, si dhe ka bërë thirrje për mënjanim të veprimeve të njëanshme, që sipas tij dëmtojnë procesin e rifillimit të dialogut.
Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.