Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar të dielën në mbrëmje Qeverinë e re, në krye me liderin e partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, pas fitores në zgjedhjet e 8 majit.
Qeveria e re është zotuar për reforma substanciale në ekonomi dhe luftë kundër korrupsionit.
Opozita ka thënë se premtimet qeveritare janë manipulative dhe jo të domosdoshme.
Deputetët kanë votuar me 77 vota për dhe 22 kundër qeverisjes së re.
Qeveria e re do t’i ketë 23 ministra në Qeveri dhe pesë prej tyre do të jenë edhe zëvendëskryeministra.
Në adresimin para votimit në Kuvend, Mickoski ka thënë se “qytetarët janë të lodhur nga argumentet” dhe që duan “punë, përkushtim, përgjegjësi dhe hapa konkretë”.
“Në 100 ditët e para, ne do të ta rrisim standardin, do të punojmë shumë, shteti do të ndryshojë”, ka thënë Mickoski, duke u zotuar për ulje taksash, rritje të pensioneve, një projekt në vlerë të 250 milionë eurove për komunat, investime të reja dhe luftë kundër korrupsionit.
Kabinetin qeveritar do ta përbëjnë 16 ministra prej koalicionit në krye me VMRO DPMNE-në, gjashtë prej koalicionit VLEN dhe dy prej partisë politike ZNAM.
Betimi me emrin kushtetues
Pas votimit të Qeverisë, Mickoski dhe ministrat e kanë kryer betimin solemn.
Për dallim prej të kaluarës, ai e ka përmendur emrin kushtetues të shtetit, Maqedonia e Veriut.
“Do ta përmend këtë mbiemër të turpshëm gjatë betimit, sepse më kujton për turpin që i është bërë vendlindjes sime, familjes sime dhe nipave të mi të palindur ende. Do të bëj gjithçka, sa të kem jetë, për të përmirësuar këtë padrejtësi. Fatkeqësisht nuk kam fuqi tani”, ka thënë Mickoski.
Ai ka folur edhe rreth nevojës së miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për të shmangur veton bullgare, dhe për të vazhduar hapat drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.
Ndryshimet kushtetuese, që janë në procedurë parlamentare në Maqedoninë e Veriut, parashikojnë përfshirjen në preambulën e Kushtetutës të pakicës bullgare, si popull shtetformues.
“Ky diktat bullgar, nën këto kushte, nuk do të kalojë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për aq do të jem unë këtu”, ka thënë Mickoski.
Kuvendi ka diskutuar dy ditë për Qeverinë e re dhe e ka pasur mesnatën e së dielës si afat të fundit për votimin e saj.