Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt u mblodhën mesditen e së enjtes për vazhdimin e seancës konstituive. Por, për të dytë herë me radhë, seanca u ndërpre dhe deputetët nuk morën asnjë vendim.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, në nisje të vazhdimit të seancës - që u ndërpre për herë të parë më 15 prill - ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime.
Pavarësisht se thanë që Dehari nuk kishte mandat për t'i ftuar në konsultime, partitë i shkuan në takim.
Por, pas takimit Dehari tha se nuk pati konsensus se si të shkohet përpara dhe njoftoi se seanca do të riniste mesditen e 19 prillit.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e akuzuan LVV-në se me shtyrje të seancës po "blen kohë", pasi thanë që partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka shumicën, që i duhet për të zgjedhur kryeparlamentarin e më pas Qeverinë.
LVV-ja, ndërkaq, për bllokadën e krijuar në Kuvend, e fajësoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në - që mandatin e kaluar ishin në opozitë - duke argumentuar se duhen opsione të tjera se si të vazhdohet përpara.
Vazhdimi i seancës më 17 prill ndodh pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, iu drejtua me një letër presidentes Vjosa Osmani, duke i kërkuar sugjerime se si të veprohej pas ndërprerjes së seancës. E para e shtetit iu përgjigj brenda pak orësh më 16 prill, duke kërkuar që seanca të vazhdojë brenda 48 orëve pas ndërprerjes – ashtu siç parashihet në Rregulloren e Kuvendit.
Por, gjatë seancës Dehari tha se Osmani nuk kishte ofruar një "zgjidhje përfundimtare" për situatën e krijuar në Kuvend.
Pse u ndërpre seanca e së martës?
Më 15 prill, legjislatura e nëntë nuk arriti të kalonte pikën e parë, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Kjo, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan nga anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, të ofrojnë dorëheqje formale nga postet ekzekutive.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po atë ditë përmes një letre njoftoi Kuvendin se ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai tha se ai dhe Qeveria ishin në dorëheqje që nga 23 marsi – kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i ekzekutivit.
Megjithatë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, argumentuan se dorëheqjet është dashur të paraqiten më herët, në bazë të Ligjit për Qeverinë – që thotë se dorëheqjet duhet të dorëzohen një ditë para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që u bë më 27 mars – duke shtuar se ata nuk mund të shkojnë në seancë për betim si deputet, duke mbajtur poste ekzekutive.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill tha se thirrja e partive, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, rrezikon të krijojë vakum institucional.
Miratimi i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vetëm pas kalimit të të gjitha këtyre hapave, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të konsiderohej e konstituuar.
E pas konstituimit të Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme. LVV-ja, që paraprakisht kishte shprehur dëshirën që të formonte një ekzekutiv vetëm me partitë joserbe, së voni ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se i duhet bashkëpunimi edhe me një nga partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
Partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë se nuk preferojnë një bashkëpunim me LVV-në. Përjashtim këtu bën vetëm Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, që ka fituar tri ulëse në Kuvend. Limaj nuk i ka vendosur vija të kuqe LVV-së, por ende nuk ka njoftuar se ka arritur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Kurtit.