Përfaqësues të pakicave kritikojnë LDK-në për përjashtim nga ftesa për qeveri trancizionale
Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), e kritikoi ftesën e kryetarit te Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, që partitë politike shqiptare të bëhen bashkë për një qeveri tranzicionale.
“Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, në frymën multietnike të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi, përkrah Emilija Rexhepit, nga Partia e Re Demokratike, dhe Nenad Rashiqit, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Në konferencën e mbajtur dje, Abdixhiku bëri ftesë që partitë politike shqiptare të bëjnë një qeveri tranzicionale, pa përmendur minoritetet. Por, në letrën e tij të dërguar Albin Kurti të LVV-së, ai i përmend edhe pakicat, të cilat propozon të marrin pjesë gjithashtu "sipas dispozitave kushtetuese".
Limaj: Ka disa lëvizje
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se ka disa lëvizje nga seanca e kaluar konstituive, pa dhënë më shumë hollësi.
Ai nuk deshi të tregojë nëse do t’i përgjigjet ftesës së Lidhjes Demokratike për takim për formimin e një qeverie tranzitore.
“Të shohim se si do të shkojnë gjërat sot në seancë. Ka disa lëvizje. Ka propozime dhe komunikime me letra”, tha shkurt Limaj teksa hyri në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive.
Haradinaj: Nuk marr pjesë në takim me Vetëvendosjen
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ai nuk do të pranonte të marrte pjesë në një takim konsultativ për qeveri tranzicionale nëse në tavolinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, tha Haradinaj, duke iu referuar ftesës së një ditë më parë të LDK-së që të gjitha partitë politike shqiptare të bashkëpunojnë për qeveri tranzicionale deri vitin e ardhshëm.
Ai tha se do të pranonte takime bilaterale me LDK-në apo trilaterale me LDK-në dhe PDK-në.
Rexhaj: Propozimi për qeveri tranzitore, i kotë
Edhe një deputet i Vetëvendosjes e ka kundërshtuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri tranzitore, duke e cilësuar si të “kotë”.
Arbër Rexhaj tha se “në vend se të ecim përpara, ata propozojnë të shkojmë mbrapa”.
“Vullneti i qytetarëve të Kosovës se Albin Kurti është njeriu më i votuar në historinë e Kosovës. Ajo çka propozon LDK-ja është devijim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi dashur se nuk jemi bllokues dhe përkundrazi kemi propozuar koalicion me LDK, por ajo dëshiron të shkojë mbrapa”, tha Rexhaj.