Ndërlidhjet

Kuvendi pritet të nisë punën me përplasjet e para rreth kryetarit 


Kuvendi gati për seancën e parë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të jetë sfida e parë, me të cilën do të përballen deputetët e legjislaturës së gjashtë të vendit, e cila pritet të konstituohet të enjten, më 3 gusht.

Propozimi i kandidatit për kryetarin e Kuvendit do të bëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i cili radhitet si subjekti i parë politik me më së shumti ulëse të fituara në Kuvend.

Përderisa përfaqësuesit e koalicionit PAN ende nuk e kanë sqaruar nëse i propozuari i tyre do të jetë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se do të votojnë kundër zotit Veseli për postin e të parit të Kuvendit. Paralajmërime të ngjashme ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit e as të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës.

Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar përfundimtar nëse Veseli do të propozohet për kryetar të Kuvendit.

Politika është interesante, veçanërisht në Kosovë dhe veçanërisht kur kemi zgjedhje. Por, ne shpresojmë që do të jetë zoti Kadri Veseli - po e them edhe personalisht - për arsye që e ka kredibilitetit politik dhe mbështetjen politike, si dhe peshën politike, ndoshta për të udhëhequr më fuqishëm në mandatin e ardhshëm Kuvendin e Kosovës, sidomos kur kihet parasysh që do ta kemi një opozitë të fuqishme të përbërë prej Vetëvendosjes dhe LDK-së. Në anën tjetër, mund të jetë një kryetar, i cili mund ta menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme Kuvendin. Por, ta shohim. Realisht, as unë nuk kam mandat që të them sot se kjo është çështje e kryer”.

Por, Albulena Haxhiu, deputete e zgjedhur e Lëvizje Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti politik, i cili është i dyti me radhë për kah numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës, do të marrë pjesë në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Ajo ka ripërsëritur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, do të votojnë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

Natyrisht që do ta kundërshtojmë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, në qoftë se propozohet një emër i tillë, për faktin se kryetari i Kuvendit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo përçarëse. Veseli ka dështuar që ta përfaqësojë interesin e secilit deputetë përbrenda Kuvendit, dhe t’i përfaqësojë sa më mirë interesat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Madje, shpeshherë ka kërcënuar dhe ka fyer deputetët e Kuvendit, prandaj ne nuk mund ta përkrahim një njeri të tillë”, thotë Haxhiu.

Por, Haxhiu ka shtuar se , marrë parasysh aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili i jep të drejtën subjektit politik me më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast koalicionit PAN, atëherë, siç thotë ajo, propozimi i një emri tjetër nga ky koalicion ka mundësi ta marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit.

Ne jemi të bindur që përbrenda këtij koalicioni (PAN) ka njerëz, të cilët mund ta mbajnë këtë pozicion, ka njerëz, të cilët mund të marrin përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje që ta bëjnë një propozim të tillë”, tha Haxhiu.

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të tij, i hapë rrugë krijimit të Qeverisë së re të vendit. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave. Përfaqësuesit e këtij koalicioni, kanë thënë se pas konstituimit të Kuvendit, brenda një kohë shumë të shkurtë do të mbahet edhe seanca e dytë e Kuvendit, ku do të votohet për Qeverinë e re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG