Ndërlidhjet

Nuk miratohen masat e emergjencës për energji elektrike


Kuvendi i Kosovës - Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës - Fotografi nga arkivi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të martën nuk kanë arritur të miratojnë vendimin e ekzekutivit për masat e emergjencës gjatë furnizimit me energji elektrike i marrë në mbledhjen e Qeverisë të premten më 24 dhjetor.

Pas votimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka kuorum për t’u votuar ky vendim dhe deputetët shkuan në pauzë për t’u kthyer më pas rreth orës 16:00.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, kishte kërkuar nga deputetët që ta aprovojnë vendimin e Qeverisë të marrë të premten, më 24 dhjetor. Sipas saj, rritja e konsumit të energjisë elektrike ka bërë që Kosova të ketë vështirësi furnizimi me energji elektrike, sidomos në muajin dhjetor.

“Një vendim i tillë i mundëson Qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë me vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorë, ose vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Këto masa të vendosen për 60 ditë, mirëpo ky afat mund të vazhdohet nga deputetët e Kuvendit”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja ka thënë se masat janë të përkohshme dhe kanë për qëllim të zbusin krizën e furnizimit me energji.

Masat emergjente të furnizimit me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Nëpërmjet këtij vendimi, Qeveria ka formuar një Komitet Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë që ka për qëllim identifikimin dhe paraqitjen e rekomandimeve për ministren e Ekonomisë së Kosovës.

Opozita: Vendim i vonuar

Partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës për zgjidhjen e jo për krizën energjetike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, që udhëheq Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë se ky vendim i Qeverisë është i vonuar dhe duhet të rikthehet e të plotësohet.

Sipas tij, do të duhej të kishte një analizë të qartë të Ligjit për energjinë nga Qeveria e Kosovës për marrjen e këtij vendimi.

“Vendimi si është sjellë sot në Kuvend, me vetëm dy pika, po dëshironi ta legalizoni ndërprerjen, po dëshironi ta legalizoni paligjshëm, pa logjikë ta dëmtoni konsumatorin. Ne kërkuam në seancën e kaluar që të merren masat emergjente. Kjo është paaftësi direkte menaxhuese, paaftësi organizative dhe ndikim politik në një ndërmarrje publike e cila e ka mbajtur barrën në situata tepër të vështira”, ka thënë Shala.

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria nuk duhet të jetë ankuese dhe spektatore, por duhet të gjejë zgjidhje.

Ai ka shtuar se masat e Qeverisë janë me gjashtë muaj vonesë, duke thënë se vendet fqinje ka disa muaj që kanë filluar të punojnë për ta zbutur krizën me energji.

“Ne sot jemi në fund të dhjetorit, katër ditë pa përfunduar viti, gjashtë muaj pas fillimit të krizës. Qeveria jonë populliste siç është, verës kur të tjerët merreshin me problemet e energjisë, e kur çmimet e energjisë rriteshin gjithandej, kjo qeveri shpërndante parulla nëpër Evropë se e ka zhvillimin më të madh ën Evropë, aq të lartë sa që po e arrin edhe Kroacinë”, është shprehur Abdixhiku.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova është duke u përballur me krizën energjetike më të madhe që nga shpallja e pavarësisë.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, është duke e injoruar këtë problem dhe se po kërkon fajtor dhe nuk po ofron zgjidhje.

Ai ka thënë se Qeveria ende nuk ka ndonjë strategji konkrete për të tejkaluar këtë krizë.

“Po bëhen gati dy muaj e gjysmë që kemi ngritur alarmin te qeveria këtë çështje që është bërë barra më e madhe për qytetarët e Kosovës. Ky vendim është dashur të jetë në Kuvend shumë muaj më parë. Ky vendim nuk mund të ndikoj në përmirësimin e situatës me energji elektrike”, tha Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka mohuar akuzat e deputetëve opozitarë. Debati ka vazhduar edhe ndërmjet anëtarëve të tjerë të kabinetit të Qeverisë dhe deputetëve të opozitës.

Kosova ka disa ditë që është duke u përballur me krizë energjetike.

Për shkak të kësaj krize energjetike nga e mërkura e 22 dhjetorit, qytetarët përballen me reduktime të energjisë elektrike. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut - KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet me kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës. Sipas zyrtarëve të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Kosova aktualisht prodhon 600 deri në 800 megavat rryme në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavat në orë.

Në tregun botëror, çmimi i rrymës është shtrenjtuar dukshëm. Nga 69 euro për megavat sa ishte çmimi vitin e kaluar, në këtë periudhë çmimi i importit të rrymës arriti deri në 600 euro për megavat, ka thënë zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Viktor Buzhala.

Megjithëkëtë, përgjatë dy ditëve të fundit, situata me energjinë elektrike është stabilizuar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG