Ndërlidhjet

Shtyhet për të hënën seanca për shkarkimin e presidentit Meta


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta - Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta - Fotografi nga arkivi.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të shtyjë për të hënën seancën për shqyrtimin e shkarkimit të presidentit të shtetit, Ilir Meta.

Anëtarët e Gjykatës i drejtuan 70 pyetje përfaqësuesit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi 48 orë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve, me argumentin se duhet të informojë presidentit që nuk ishte i pranishëm, për këto pyetje.

“Duke u nisur nga natyra e gjykimit, mban parasysh kërkesën për 48 orë të përfaqësuesit të presidentit, dhe nga volumi i pyetjeve. Kjo kohë do të përdoret edhe nga iniciuesi i gjykimit për t’u njohur. Seanca e radhës do të jetë ditën e hënë nga ora 10:00”, ka thënë kryetarja e Gjykatës, Vitore Tusha.

Seanca për shqyrtimin e shkarkimit të presidentit Meta e kishte nisur të martën dhe ishte shtyrë për të enjten, më 3 shkurt, pas kërkesës së përfaqësuesve të presidentit, të cilët do të paraqisnin argumentet e tyre.

Përreth 2 orë, me një material 140 faqesh, këshilltari juridik i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, ka argumentuar provat në mbrojtje të kreut të shtetit.

Dervishaj ka thënë se nuk është presidenti ai që e ka shkelur Kushtetutën, por Kuvendi.

“Në asnjë moment, nuk rezulton se presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Procesi hetimor kishte për qëllim vetëm hakmarrjen politike ndaj kreut të shtetit. Proces i nisur politikisht për t’u hakmarrë ndaj tij dhe për të shmangur vëmendjen nga problematikat që kishte procesi zgjedhor (për 25 prillin)”, është shprehur Dervishaj.

Seanca e së martës kishte zgjatur 9 orë dhe ishte shtyrë për ditën e enjte pas “ezaurimit të pyetjeve” nga relatori i çështjes(gjyqtari i rastit), Përparim Kalo, i cili u drejtoi 29 pyetje përfaqësuesve të Kuvendit. Në seancën e së enjtes po dëgjohet pala tjetër, Presidenti.

Vetë Meta nuk është i pranishëm në sallë, por janë përfaqësuesit e tij ligjorë.

Deputetët e Partisë Socialiste kishin themeluar një Komision hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore në prill të vitit 2021.

Deputetët, pas gjetjeve të Komisionit, më 9 qershor të vitit 2021 kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët,duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes, si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë”.

Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të Kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022. Ai këtë deklaratë e bëri pasi shkarkimi i tij u votua në një kohë kur opozita e Shqipërisë kishte djegur mandatet e veta në Kuvend.

Ato (mandatet) ishin zëvendësuar nga një opozitë tjetër, nga persona të partive përkatëse, por që nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë në zgjedhje.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG