Ndërlidhjet

Thirret vazhdimi i seancës konstituive


Kuvendi i Kosovës, 24 gusht
Kuvendi i Kosovës, 24 gusht

Takimi i orëve të vona ndërmjet liderëve të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës dhe Aleancës Kosova e Re me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe pakicave tjera, ka rezultuar me marrëveshje për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, të enjten më 7 shtator.

Pas shumë orë negociata, ky grupim i partive politike i ka drejtuar kërkesë udhëheqësit të seancës konstituive, deputetit Adem Mikullovci, për vazhdimin e seancës së nisur që nga 3 gushti. Kërkesa është pranuar dhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës është konfirmuar se seanca do të zhvillohet në ora 11:00.

Pritet që në këtë seancë të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, pason periudha prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re.

Gjatë ditës, ishin kushtet e Listës Serbe ato që e kishin vënë në pikëpyetje këtë seancë. Por, pas vazhdimit të negociatave, dukej se gjithçka ishte harmonizuar.

Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik , thotë për Radion Evropa e Lirë se para se të arrihet çfarëdo marrëveshje me subjektet politike shqiptare, Lista Serbe do të konsultohet me Qeverinë në Beograd dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ne nuk kemi bashkëpunëtor më të mirë, mik dhe dikë që mendon më mirë për serbët në Kosovë, se sa Qeverinë tonë dhe Presidentin tonë”, ka thënë Simiq.

Ai ka theksuar se Lista Serbe konsideron që është mirë që Kosova po lëvizë drejt formimit të institucioneve të reja, prej kur koalicionit PAN, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i është bashkangjitur edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë theksuar se janë duke u koordinuar me Listën Serbe për marrëveshjen lidhur me formimin e Qeverisë së re, por, ata nuk kanë dhënë detaje se mbi cilat kushte synohet një marrëveshje e tillë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe. Ndërkaq, lidhur me kushtet e kësaj të fundit, ai ka thënë se ato janë të njëjtat që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar legjislativ dhe ekzekutiv.

Ju i mbani mend nga seancat paraprake pozicionet e tyre. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Igor Simiq ka thënë se Lista Serbe do të jetë e hapur për bisedime pasi që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pasi që do të dihet emri i mandatarit për formimin Qeverisë së Kosovës.

Lista Serbe e ka prezantuar programin e saj dhe për të e ka marrë mbështetjen e qytetarëve. Kushdo që dëshiron të bisedojë me Listën Serbe duhet të tregojë respekt ndaj interesave të popullit serb në hapësirën e Kosovës, por edhe ndaj nesh si përfaqësues të serbëve”, tha Simiq.

Lidhur me bisedimet e koalicionit PAN me Listën Serbe, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ramush Haradinaj, mund të jetë njëri prej politikanëve më të sinqertë e më bujar që ka njohur Kosova ndonjëherë. Por kjo nuk nënkupton që bujaria e tij mund të shkojë deri aty, sa që ai mund të pranojë të jetë i kushtëzuar nga çfarëdo grupimi politik, shqiptar apo me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës. Ai për hir të një stabiliteti politik, ka bërë kompromise të mëdha në dëm të partisë që e drejton, por këtu përfundojnë të gjitha kompromiset e tij”, ka thënë Nitaj.

Ndryshe, Simiq ka theksuar se për Listën Serbe nuk janë të rëndësishme funksionet në kuptimin e numrave, por fakti se a do të jenë në gjendje njerëzit që do t’i kryejnë funksionet që ta forcojnë serbët në mënyrë institucionale dhe që ta përmirësojnë jetesën e tyre.

Për interesin e serbëve në Kosovë mund të luftojnë vet serbët. Gjithçka varet prej nesh. Nuk dëshirojmë të diskutojmë për pozitat ministrore, nuk duam që të apostrofojmë se çfarë është ajo që duam dhe çfarë është ajo që nuk duam. Por, ajo që mund ta them në këtë moment është që ne nuk do të merremi me spekulime dhe se interesi i popullit serb është parësor në luftën politike”, tha Simiq.

Sipas tij, Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, është kurora e kërkesave të Listës Serbe. Në anën tjetër, siç thotë ai, deputetët e këtij subjekti brenda Kuvendit të Kosovës do të luftojnë që zgjidhjet ligjore që sillet për çështje të ndryshme, të sillen në pajtim me interesat kombëtare serbe.

XS
SM
MD
LG