Ndërlidhjet

Kurti pret Lulzim Hetemin dhe autoritetet e Leposaviqit në Prishtinë


Pamje prej takimit të 9 shtatorit në Kryeministri.
Pamje prej takimit të 9 shtatorit në Kryeministri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të hënën me autoritetet lokale të Leposaviqit, përfshirë kryetarin e komunës, Lulzim Hetemin, për të diskutuar punën e kësaj komune me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për “shërbimet e reja” të ofruara prej agjencive që funksionojnë në kuadër të institucioneve qendrore të Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, është thënë se udhëheqësia aktuale lokale ka krijuar “praktikë të mirë” kur është fjala për ofrim të shërbimeve ndaj qytetarëve brenda sistemit institucional të Kosovës.

“Ata kanë diskutuar edhe për sfidat dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, sidomos në fshatrat e kësaj komune”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

Kurti ka ofruar ndihmën e Qeverisë, në mënyrë që komuna e Leposaviqit, të mund t'i përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve.

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Qeverisë së Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe ministri për Vetëqeverisje Lokale, Elbert Krasniqi.

Lulzim Hetemi është kryetari i Leposaviqit prej majit të vitit të kaluar.

Ai e ka fituar këtë pozitë pas zgjedhjeve të mbajtura, të cilat janë bojkotuar prej komunitetit serb.

Takimi i Kurtit me zyrtarë të Leposaviqit vjen pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur institucione paralele të Serbisë në katër komunat në veri, në fund të muajit gusht, me arsyetimin se ato kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në të gjitha zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë ka pasur institucione të tilla paralele, mirëpo Qeveria e Kosovës e ka mbyllur një numër të konsiderueshëm të tyre, përfshirë autoritetet komunale, Postën e Serbisë në veri dhe Kursimoren e Postës.

Perëndimi e ka kritikuar me raste Kosovën, për ato që i ka konsideruar "veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG