Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Për Kurtin, tema kryesore e diskutimit ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa për disa nga përfaqësuesit e QUINT-it, ishte krijimi i institucioneve të reja në Kosovë.
“Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet më tej se kryeministri Kurti paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në anëtarësim po ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kosova ishte afër anëtarësimit vitin e kaluar, por çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e la atë jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.
Në fund të njoftimit thuhet se, ndër të tjera, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.
Ambasadorët kërkojnë formim të shpejt të institucioneve
Në takimin e mbajtur, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ritheksoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për ta konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri stabile, në përputhje me Kushtetutën.
“Institucionet janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës”, shkroi Ambasada amerikane në platformën X.
“Për përparimin e Kosovës në integrimin evropian, nevojitet një qeveri stabile dhe funksionale. Status quo-ja aktuale nuk i sjell dobi askujt”, tha përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, pas takimit.
Pas takimit, edhe Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se inkurajuan formim të shpejt të institucioneve.
“Sot pasdite u takova me Kryeministrin në detyrë [Albin] Kurti së bashku me ambasadorët e tjerë të Quint-it. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur, për të vepruar në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke bërë përparim në çështje thelbësore, siç janë zhbllokimi i fondeve dhe përparimi drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Hargreaves.
Ambasadori i Francës, Olivier Guerot, tha se takimi ndodhi me iniciativën e Kurtit.
“Bisedë e mirë mbi integrimin evropian të Kosovës dhe hapat që duhen ndërmarrë në këtë drejtim. Formimi i një qeverie është një nga hapat e domosdoshëm”.
Ndërkohë ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili nuk ishte i pranishëm në takim, tha se zëvendësi i tij, theksoi se “Kosovës i duhet një qeveri stabile, e aftë për të marrë vendime”.
“Shumë detyra të rëndësishme, si të brendshme ashtu edhe ndërkombëtare, janë në pritje dhe nevojitet përparim në çështje thelbësore”, shkori Rohde në rrjete sociale.
Edhe Ambasada italiane theksoi gjatë takimit nevojën për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, “në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara në prioritetet kyç, siç është avancimi drejt integrimit euroatlantik”.
Prej disa javësh, përfaqësuesit politikë nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri më tani janë mbajtur 14 seanca, në të cilat deputetët kanë dështuar të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.
Derisa Vetëvendosje po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit, kjo parti ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme.
Pas gjashtë dështimeve në votimin e Haxhiut, së fundi, udhëheqësi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi votim të fshehtë.
Por ky veprim i Deharit u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të partive të tjera për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Meqë nuk shihet ndonjë rrugëdalje nga bllokada në Kuvend, nga 15 maji presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojë udhëheqësit e partive politike në një përpjekje të re për të formuar institucionet e reja.