Ndërlidhjet

Kurti: Ballkani i rrezikuar nga zgjerimi i konfliktit të Ukrainës


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të premten, më 18 mars se nuk përjashtohet rreziku që konflikti i Ukrainës të zgjerohet edhe në vende të tjera, duke mos përjashtuar as shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në një konferencë për media, kryeministri Kurti tha se Kosova ka ndërtuar aleanca të pandashme me Perëndimin, SHBA-në dhe NATO-n.

“Në të kaluarën presidenti rus [Vladimir] Putin na ka përmend njëherë në muaj, tash po na përmend një herë një jave si Kosovë, duke tërheq paralele të paqena me Krimenë në Ukrainë. Pra, ai i cili kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, dëshiron ta keqpërdorë rastin e Kosovës për ta ushtruar hegjemoninë e vetë”, theksoi Kurti.

Kurti më tej tha në Ballkanin Përendimor veçse është duke u përballur me një luftë hibride.

“Sputnik” [media shtetërore ruse] e ka qendrën në Beograd, kurse në Nish ndodhet e ashtuquajtura Qendra Humanitare ruse, e cila është e mbushur me plotë agjentë rusë”, deklaroi Kurti.

Nga ana tjetër, duke ju referuar ndonjë rreziku eventual, kancelari i austriak, Karl Nehammer, tha se Kosova si dhe rajoni duhet ta dinë se nuk janë vetëm në rast të ndonjë kërcënimi.

“Është e rëndësishme që Bosnja e Hercegovina edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm, prandaj nëse ka kërcënime të dihet të reagohet shpejtë, këto nuk janë vetëm fjalë”, tha ai.

Mes tjerash, kancelari Nehammer, tha se me kryeministrin Kurti, ka biseduar për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

“Është e rëndësishme që të definohen dhe diskutohen problemet dhe të gjendet një zgjidhje. Këtu politika e Austrisë sikurse e Gjermanisë është një katalizator i mirë për të gjetur zgjidhje të përbashkët” tha ai.

Në konferencën e përbashkët me kancelarin austriak, Kurti tha se nuk pret ndonjë incident ditën e 3 prillit kur pritet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

“Mund të jetë dikush që dëshiron destabilizim, por këtë nuk do ta gjeni te qytetarët apo institucionet e Kosovës. Por edhe nëse largqoftë, do të ketë ndonjë ekses, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë”, u shpreh Kurti.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës me 24 shkurt, zyrtarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur dronë se mund të ketë zgjerim të konfliktit edhe në këtë rajon.

Mirëpo, zyrtarë të BE-së dhe të NATO-s, kanë thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë duke ritheksuar përkushtimin për siguri në Ballkan dhe Evropë.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë vendosur sanksione ekonomike dhe politike ndaj Rusisë.

Sanksioneve u janë bashkuar edhe Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG