Ndërlidhjet

Kurti: Unë s’mund të themeloj asociacion të komunave si kryeministër


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti tha se ai, megjithatë, kishte shprehur gatishmëri ta përpilonte vetë një draft-statut për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur pajtueshmëri për aneksin e Marrëveshjes Bazë.

“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, tha Kurti.

Ai tha se themelimi i një asociacioni nuk duhet të jetë i imponueshëm dhe se Kosova tashmë e ka një asociacion komunash, duke iu referuar Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen e bashkëpunojnë. Ju e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë ai duhet të vijë nga komunat. Nëse kryeministri do ta themelonte atë, asociacioni do të ishte imponim ndaj komunave”, theksoi ai.

Ai nguli këmbë se themelimi i asociacionit duhet të jetë zgjedhje “e lirë dhe e drejtë”

“Dhe, këtë s’e bëj unë, e aq më pak një shtet fqinj”, tha Kurti duke iu referuar Serbisë.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionit prej vitit 2013. Më 2015, u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Ndërsa, vitin e kaluar, ato e pranuan Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe një nga pikat e saj kërkon që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit, përkatësisht Asociacioni.

Tetorin e vitit 2023 përfaqësuesit e Pesëshes së Madhe - Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia - u prezantuan Kosovës dhe Serbisë draft-statutin e Asociacionit, i cili duhet ta zgjidhte çështjen e pozitës së komunitetit serb në Kosovë dhe t’i mbrojë të drejtat e tyre.

Prej atëherë ka pasur thirrje për Kosovën që ta dërgojë këtë draft-status për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Por, kryeministri Kurti nuk ka pranuar ta bëjë këtë deri tani.

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë në fillim të tetorit se pret që, në muajt e ardhshëm, Kurti ta intensifikojë diskursin e tij kundër Asociacionit, “duke shpresuar të ketë një efekt pozitiv zgjedhor populist”.

Ai tha se Kurti është duke i pritur qëllimisht zgjedhjet parlamentare - të planifikuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm - për ta dërguar draft-statutin për Asociacionin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG