Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos e madhërojnë Faton Hajrizin, i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi.
“I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”, tha Kurti në një mbledhje të Qeverisë së tij, të mbajtur të mërkurën.
Ditëve të fundit, llogari të ndryshme në rrjetet sociale kanë shpërndarë shkrime për Hajrizin dhe fotografi të tij, të shoqëruara me epitete të ndryshme, si “hero” dhe “trim”.
Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik, konfirmoi këtë javë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.
Më 18 korrik, sipas autoriteteve serbe, ai vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në qytetin Lloznicë të Serbisë.
Hajrizi ishte i arratisur nga një burg në Kosovë.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se sqarimi i rrethanave që nga ikja e Hajrizit në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar, “kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar”.