Ndërlidhjet

Kurti ftohet të dëshmojë nga Prokuroria Speciale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ftua për dëshmi nga Prokuroria Speciale, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së tij, Përparim Kryeziu.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kryeziu kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai pa dhënë më shumë detaje.

Radio Evropa e Lirë (REL) e pyeti se për çfarë rasti bëhet fjalë, por ai nuk u përgjigj.

Prokurorët nënshkrues të thirrjes së Kurtit për të dëshmuar, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, janë prokurorë specialë nga Departamenti për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar.

REL-i e ka pyetur Prokurorinë Speciale në lidhje me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

Sipas ftesës së prokurorëve, Kurti është thirrur të dëshmojë në një rast për një vepër penale nga neni 414 i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e lidhi ftesën e prokurorëve për Kurtin me fushatën zgjedhore.

"Pse kjo nguti i nderuar prokuror? Fushata fillon ne janar", shkroi Bislimi në Facebook pa dhënë hollësi.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në zgjedhjet paraprake, më 2021, Kurtit nuk iu lejua të kandidonte për deputet, pasi Gjykata Kushtetuese nxori vendim që kandidatët, të cilët në tre vjetët e fundit kishin vendim gjykate të formës së prerë, nuk mund të garojnë.

Kurti kishte një dënim të tillë, për shkak të trazirave që ndodhën në Kuvendin e Kosovës derisa ai ishte në opozitë.

Si kryeministër, Kurti në disa raste ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se është joefikas dhe i ngadaltë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG