Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën gjatë përurimit të një Qendre Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Prishtinë se “e kemi të qartë se fqinji jonë verior është agresiv” duke iu referuar Serbisë.
“Mirëpo, kjo na bën të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, tha Kurti për gazetarë.
Kurti theksoi se Kosova është duke u përgatitur maksimalisht me “krejt çfarë mundemi dhe dimë”, prandaj edhe e ka hapur qendrën e cila do të ofrojë trajnime për sigurinë kibernetike.
“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd, e ndërlidhur me despotizmin në Moskë”, shtoi ai.
Kryeministri kosovar tha se ka paralajmëruar prej kohësh që “shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë, jo vetëm në Lindje të Evropës, janë rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta dijë askush”.
Shtatorin e kaluar, Kurti kishte thënë se “aleatët e Rusisë”, përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në Kosovë e kanë akuzuar edhe më herët Rusinë se po shtyn aleaten e saj, Serbinë, që të nxisë tensione në vendin fqinj, ndonëse pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga Rusia.
Në një raport të organizatës Demokracia Plus, të publikuar më 2022, thuhej se Kosova “është subjekt i dezinformimit nga aktorë malinj të huaj, si Rusia, Kina dhe Serbia”.
Sulmet e fundit të raportuara kibernetike ndaj institucioneve shtetërore kanë ndodhur në shtator të vitit të 2022. Qeveria e Kosovës tha atëkohë se sulmi e kishte origjinën jashtë vendit, por nuk tregoi se nga cili vend.
Institucionet shtetërore kanë qenë cak i sulmeve kibernetike edhe më herët.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën shtatorin e kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë një rreshter kosovar. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë tre sulmues serbë.
Më 13 shkurt, Kurti tha se duke mospranuar ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”.
Shkurtin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel për këtë marrëveshje, ndërkaq në prill në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por blloku evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ajo është obliguese për palët.