Ermona Leskovci kishte përfunduar provimin shtetëror të maturës dy vjet më parë me një kalueshmëri mbi 70 për qind. Por, njohuritë që ajo mori në arsimin parauniversitar në Kosovë nuk do t’i mjaftonin të merrte bursë në universitet jashtë vendit, nëse nuk do të ndiqte trajnime në lëmi të caktuara.
Leskovci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndoqi kurse fillimisht të gjuhës angleze, matematikës dhe trajnime të shumta, për të fituar një bursë në Fakultetin e Jorkut në Greqi.
“Një nga kriteret bazë që kërkohet për një universitet jashtë vendit është niveli i anglishtes (TOFEL). E për këtë më është dashur të përgatitem shumë, të mbaj kurse të anglishtes, sepse nga ajo çka kemi mësuar në shkollë ka qenë e pamjaftueshme. Po ashtu, për testin tjetër që kërkohet për ata studentët që dëshirojnë të vazhdojnë të studiojnë shkencat kompjuterike apo drejtimet që kanë të bëjnë me matematikën, nuk është se kemi marrë njohuri që na kanë ndihmuar. Edhe për këtë është dashur të ndjekim kurse apo të mësojmë vetë shumicën e gjërave”, thotë ajo.
Një problem tjetër që Leskovci ka hasur gjatë aplikimeve të saj në universitetet jashtë Kosovës, ka qenë edhe mungesa e njohurive të shprehjes së mendimit kritik.
Sipas saj, në letrat motivuese, që janë kërkuar të dërgohen në universitetet, është dashur të shkruhen shkrime ku kërkohet mendimi kritik, e siç shton ajo, kjo shkathtësi nuk arrihet të përfitohet gjatë shkollimit parauniversitar në Kosovë.
“Në universitet jashtë vendit, kemi të bëjmë edhe prezantime, të shkruajmë letra motivuese dhe letra tjera me tematika që na kërkohen. Këtu na mungon mendimi dhe të shprehurit kritik. Nëse nuk do të merrja pjesë në trajnime dhe gjëra tjera, jam e sigurt që do të isha shumë e dobët edhe në këtë pjesë”, thotë ajo.
Ermona Leskovci do të fillojë studimet në shtator të këtij viti.
Rezultatet e provimit të maturës, joreale
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), më 5 korrik ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar mbi 23 mijë nxënës të klasave të 12-ta në gjithë vendin.
Këtë vit, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 68.43 për qind. Në vitin 2020, kalueshmëria e provimit të maturës ishte 67.44 për qind.
Kalueshmëria më e lartë e provimit të maturës ishte shënuar në vitin 2018, me 73.3 për qind.
Provimi i maturës shtetërore vlerëson arritjet e njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve, të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit parauniversitar në përputhje me kurrikulën e Republikës së Kosovës.
Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kalueshmëria e lartë e Provimit Shtetëror të Maturës në Kosovë nuk e tregon realitetin.
“Kalueshmëria e lartë në testin e maturës është shumë e ndërlidhur edhe me pragun e ulët të kalimit, mirëpo sikurse niveli i kalueshmërisë edhe vet rezultati për secilin nxënës, nuk është shumë reprezentativ. Mospërputhja e rezultateve me vlerësimin e brendshëm është një indikator për validitetin e rezultatit”, thotë Qehaja.
Sipas Ligjit për provimin e maturës shtetërore, pragu i kalueshmërisë në provim është 40 për qind.
Provimit çdo vit i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, të arsimit të lartë. Përfundimi me sukses i këtij testi iu mundëson më pas aplikimin për studime në universitet.
Në rastet kur provimi shtetëror nuk kalohet, atyre iu pamundësohet regjistrimi në universitet.
Kopjime në provimin e maturës
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se në provimin shtetëror 2021 testi iu është anuluar 69 nxënësve, për shkak të përdorimit të telefonit.
Ministria e Arsimit është duke i vlerësuar edhe raportet e komisioneve në qendrat e testimit dhe së shpejti do të publikohen emrat e administruesve, të cilët nuk kanë realizuar detyrën më përgjegjësi dhe ndaj të njëjtëve do të merren masa ligjore.
Provimi i maturës në Kosovë në vazhdimësi ishte përcjell me parregullsi, të cilat e kishin vënë në dyshim edhe kalueshmërinë e nxënësve.
Kopjimi është një fenomen i cili ka përcjellë pothuajse çdo test të maturës në Kosovë.
Qehaja shton se rigoroziteti selektiv në administrim të testimit mundëson që një grup i nxënësve të performojnë të vetëm, sipas protokolleve të thirrura të administrimit, e grupe tjera, e shpërdorin, komunikojnë hapur dhe arrijnë rezultat jo të vërtet.
“Ky dallim vërehet edhe sipas statistikave mes grupeve të të njëjtës klasë, por edhe mes komunave dhe shkollave. MASHTI duhet të sigurojë që testi i maturës të mos jetë padrejtësi në vlerësim që ndikon në rrugëtim në karrierë të të rinjve, por të jetë instrument i besueshëm i filtrimit për shkollim të mëtejmë universitar”, thotë ai.
Ymret Reshitaj, përfaqësues i Këshillit të Prindërve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për rezultate më të mira në provimin shtetëror të maturës, duhet të bëhen reforma në sistemin arsimor.
Autoritetet në Kosovës, thotë ai, duhet të përgatisin një kurrikulë në frymën e standardeve evropiane, që i bën nxënësit konkurrentë qoftë në aspektin e dijes, qoftë në tregun e punës.
“Sistemi arsimor ka edhe probleme teknike. Mungesa e hapësirave, mungesa e kabineteve, mungesa e furnizimit me mjete të nevojshme të punës në kabinete. Këto edhe më tutje e vështirësojnë që performanca e nxënësve në shkollën e mesme të jetë në nivel më të lartë dhe të jenë konkurrentë me vendet tjera të botës”, thotë Reshitaj.
Ndryshe nga rezultatet e mira që paraqiten në provimin e maturës, në Programin për vlerësim ndërkombëtar PISA, Kosova që nga viti 2015 deri në vitin 2019, ishte renditur në mesin e vendeve me cilësi të dobët në arsim.
Në vitin 2029 ishte renditur në vendin e 77-të për cilësi të dobët në arsim, nga 79-të vende të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) kanë vendosur të shtyjnë vlerësimin PISA 2021 në 2022 për shkak të pandemisë me COVID-19.
Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara. Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të vitit të kaluar, ishte theksuar se kanë ngecje të lartë në mësimnxënie.
Ky raport pati vënë në pah se një fëmijë që e fillon shkollën në moshën katërvjeçare, mund të presë që të kryejë 13.2 vjet shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të. Por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9. Pra, sipas Bankës Botërore, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.
Facebook Forum