Politikani opozitar rus, Mikhail Kasyanov, kryeministri i parë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se rezultati i luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës, do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë dhe nëse Ukraine bie, “shtetet e Baltikut janë në radhë”.
Kasyanov, kritik i hapur i presidentit rus, i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se ai nuk e ka besuar fillimisht se Putin do të niste luftë kundër Ukrainës.
Mirëpo kur ka parë Këshillin e Sigurisë së Rusisë, tri ditë para pushtimit të nisur më 24 shkurt, ai ka thënë se e ka kuptuar se do të ketë luftë.
“Unë i njoh ata njerëz dhe duke i shikuar ata e kam parë që Putin është jashtë kontrollit. Jo në aspektin mjekësor, por në atë politik”, ka thënë ai, duke shtuar se në të kaluarën ka njohur tjetër Putin.
Kasyanov, 64-vjeçar, ka thënë se është i bindur që Putin do të zëvendësohet nga një “kuazi-pasaardhës”, i kontrolluar nga shërbimet ruse të sigurisë, mirëpo që dikur Rusia do t’i kthehet demokracisë, ndonëse me vështirësi.
“Jam i sigurt se Rusia do t’i rikthehet rrugës së ndërtimit të shtetit demokratik”, ka thënë Kasyanov, i cili ka qenë kryeministër në periudhën 2000-2004.
Ai ka vlerësuar se do të duhet rreth një dekadë për të bërë “dekomunizimin” dhe “deputnizimin” e shtetit.
“Do të jetë e vështirë, sidomos pas kësaj lufte kriminale”.
Kasyanov ka thënë se Putin, ish-kolonel i shërbimit sekret rus në periudhën komuniste, ka krijuar një sistem të dominuar nga ish-anëtarë dhe anëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë.
Kasyanov, i cili ka bërë thirrje për lidhje më të forta me Perëndimin, sa ka qenë kryeministër, i është bashkuar opozitës ruse dhe është bërë ndër kritikët më të mëdhenj të Kremlinit, pasi është shkarkuar nga Putini.