Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, kritikoi të mërkurën ngurrimin e Bashkimit Evropian për të pranuar një numër të konsiderueshëm refugjatësh që largohen nga Afganistani, pas marrjes së kontrollit nga talibanët.
“Kemi parë vende jashtë BE-së që kanë mirëpritur azilkërkues afganë, por nuk kemi parë një shtet të vetëm anëtar duke bërë të njëjtën gjë”, tha Sassoli në Forumin Strategjik të Bledit, në Slloveni.
Ai tha se legjislatura e BE-së është “shumë e zhgënjyer” nga rezultati i bisedimeve mes ministrave të Brendshëm të bllokut.
Gjatë takimit të martën, ministrat nuk bënë asnjë zotim konkret për të pranuar azilkërkues.
Përkundrazi, ata thanë se do të përpiqen “të parandalojnë përsëritjen e migrimit të pakontrolluar ilegal në shkallë të gjerë”, duke rritur kontrollin në kufij dhe duke ofruar ndihmë.
Parlamenti Evropian ka shumë pak ndikim kur bëhet fjalë për çështjet e jashtme dhe politikën e migracionit.
Për të dyja çështjet vendoset kryesisht në kryeqytetet e BE-së.