Ndërlidhjet

Kremlini thotë se e ka pranuar kërkimfaljen e Vuçiqit për mbështetjen e rezolutës së OKB-së


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Fotografi nga arkivi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Fotografi nga arkivi.

Rusia ka thënë se e ka pranuar kërkimfaljen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi udhëheqësi serb deklaroi se si pasojë e një “gabimi teknik” u dha një “votë e gabuar” për një rezolutë për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Reagimi i shpejtë rreth votimit aksidental të vendit të tij në favor të një rezolute antiruse në OKB e ka gëzuar Moskën”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media, më 25 shkurt, raporton agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Peskov ka theksuar se Rusia e kupton se ky ishte “një gabim i vërtetë”.

“Gabimet teknike ndodhin”, ka shtuar ai.

Të hënën, më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një projektrezolutë ukrainase-evropiane në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës, duke riafirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe për integritetin e saj territorial.

Serbia votoi në favor të miratimit të tekstit të rezolutës.

Vuçiq tha më pas se delegacioni serb kishte votuar “gabimisht” për rezolutën, dhe se duhej të kishte abstenuar.

Ai u kërkoi falje qytetarëve të vendit të tij, dhe tha se “e bart vetë përgjegjësinë për këtë”.

Serbia, bashkë me Turqinë, është vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve të Brukselit kundër Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG