Gruaja e presidentit të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, nuk ka kërkuar divorc, ka bërë të ditur të hënën Kremlini.
Raportimet në mediat turke kanë sugjeruar se Asma al-Assad, e lindur në Britani të Madhe, ka kërkuar që t’i japë fund martesës dhe të largohet nga Rusia, vend që asaj dhe burrit të saj ia kanë miratuar azilin, pasi një koalicion i rebelëve e ka rrëzuar regjimin e ish-presidentit dhe e ka marrë kontrollin e Damaskut.
I pyetur për këto raportime në një sallë konferencash, Dmitry Peskov, ka thënë se ato “nuk janë në përputhje me realitetin”.
Ai i ka mohuar edhe raportimet se Assadi është izoluar në Moskë dhe që i janë ngrirë asetet.
Rusia ka qenë aleate e palëkundur e regjimit të Assadit dhe i ka ofruar mbështetje ushtarake gjatë luftës civile.
Mirëpo në raportimet e mediave turke është thënë se familja e Assadit është duke jetuar nën kufizime të ashpra në kryeqytetin rus, dhe që Asma ka kërkuar divorc dhe që kërkon të kthehet në Londër.
Ajo ka shtetësi siriane dhe britanike, mirëpo Ministria e Jashtme britanike ka bërë të ditur më herët se asaj nuk do t’i lejohet kthimi në Britani.
Ministri britanik, David Lammy, ka thënë më herët gjatë muajit në parlament se “ajo është individ i sanksionuar dhe nuk është i mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar”.
Në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar, Bashar al-Assad ka thënë se nuk ka synuar të largohet kurrë nga Siria, mirëpo është transferuar nga baza ushtarake ruse, me kërkesë të Moskës.
Asma al-Assad, 49-vjeçare, ka lindur në Britani nga prindër sirianë dhe është rritur në perëndim të Londrës.
Ajo është zhvendosur në Siri më 2000 dhe në moshën 25-vjeçare është martuar me burrin që ka sot.
Më 2018, ajo ka thënë se po trajtohet për kancer në gji, ndërsa një vit më vonë ka thënë se është shëruar plotësisht.
Në maj të këtij viti ajo është raportuar të jetë diagnostikuar me leukemi dhe ka nisur trajtimin.
Përmes një deklarate ishte bërë e ditur se ajo do të tërhiqet përkohësisht nga të gjitha angazhimet publike.