Ndërlidhjet

Rrezikohen kreditë ndërkombëtare, qeveria nuk mund t’i çojë në kuvend


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria në detyrë e Kosovës është duke negociuar madje edhe aprovuar marrëveshje me disa institucione financiare ndërkombëtare për marrjen e kredive, të cilat do të përdoren për të mbuluar humbjet nga pandemia COVID-19.

Por, problem mbetet ratifikimi i këtyre marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Qeveria është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën ka thënë se janë duke punuar për të pasur të hyra shtesë në buxhet për ta përballuar krizën. Deri më tani, sipas tij, kanë negociuar me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare për kredi në vlerë mbi 300 milionë euro.

Kjo vlerë sipas tij, do jetë e mjaftueshme për të mbuluar hendekun e taksave dhe koston e Pakos Emergjente fiskale prej 180 milionë eurosh, që tashmë ka filluar të zbatohet, por edhe pakos që është në përgatitje të rimëkëmbjes ekonomike.

“Vetëm se duhet funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të njëjtat të kalojnë procedurat e aprovimit në parlament”, ka thënë Bislimi.

Marrëveshjet ndërkombëtare, me dy të tretat e votave

Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës thotë se dispozitat e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit qëndrojnë të heshtura në lidhje me kompetencat e qeverisë në dorëheqje për të propozuar projektligje.

“Deri më tani, nuk kemi praktika për procedimin e projektligjeve nga qeveria në dorëheqje”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Madje Krasniqi ka treguar se grupe të deputetëve mund të dorëzojnë projektligje, por edhe për këtë nuk ka praktikë që mund të procedohet.

“Ata mund të dorëzojnë, por nuk procedohet, sepse duhet të vendosë kryesia e kuvendit për hapa të mëtutjeshëm. Ne si administratë mundem të pranojmë, por pranimi është gjysmak nëse nuk shkon tutje”, ka shtuar ai.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.

Kosova tashmë ka nënshkruar disa kredi

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se në situatën aktuale, është problem që projektligjet t’i dorëzojë në kuvend një qeveri që është në detyrë.

Analisti Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e institucionit më të lartë ligjvënës, thotë se në aspektin legjitim është plotësisht e kuptueshme që një qeveri që ka humbur besimin e kuvendit, të hyjë në marrëdhënie kontraktuale në emër të Republikës së Kosovës.

“Ekzistojnë dy mënyra të interpretimit të kësaj. Në njërën anë është se qeveria nuk ka të drejtë. Dhe në anën tjetër është interpretimi se për sa kohë që qeveria është në detyrë dhe nuk zgjidhet një qeveri tjetër, ajo ka të drejtë. Dhe për këtë arsye kjo çështje duhet të rregullohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që mos të kemi situata të njëjta”, shprehet Cakolli.

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB), të martën ka miratuar një kredi për Kosovën, në vlerë prej 35 milionë eurosh. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në muajin prill ka miratuar po ashtu një kredi në vlerë të 52 milionë eurosh.

Përveç këtyre, zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është në negociata edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një kredi prej 25 milionë eurosh.

Nga Komisioni Evropian po ashtu është premtuar një kredi prej 100 milionë eurosh. Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar më 8 maj, nismën për të nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore për kredi në vlerë prej 48 milionë dollarësh.

Ai ka thënë se të gjitha kreditë që i merr Kosova do të jenë pjesë e një fondi të konsoliduar, i cili përdoret për të mbuluar masat e miratuara tashmë nga qeveria në detyrë, për të forcuar sistemin shëndetësor në luftën kundër koronavirusit.

Epilogu përfundimtar pritet nga Gjykata Kushtetuese

Një epilog përfundimtar, thotë Cakolli varet nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të vendosë në lidhje me lëndën që i është drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me dekretin e presidentit të Kosovës për formimin e qeverisë.

“Unë besoj se situata me qeverinë, përkatësisht me kuvendin, do të marrë një epilog deri në fund të këtij muaji, kur edhe pres që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin e saj meritor që do t’i hapë rrugë, qoftë krijimit të një qeverie të re, apo eventualisht kthimit të procesit në zero dhe shkuarjes në zgjedhje” thekson Cakolli.

Kuvendi i Kosovës më 25 mars e rrëzoi qeverinë e kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti, përmes një mocioni të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar, Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Por, VV-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila e pezulloi zbatimin e dekretit të presidentit, deri më 29 maj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG