Memli Krasniqi njoftoi të mërkurën dorëheqjen si kryetar i partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës, duke thënë se ka ardhur koha për një mundësi të re për "familjen tonë demokratike".
“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë”, tha Krasniqi.
Dorëheqja e tij vjen pesë muaj pasi ai ishte rizgjedhur në krye të partisë për një mandat të dytë në qershor.
Ai e kishte marrë drejtimin e partisë në vitin 2021.
Krasniqi njoftoi se do ta mbledhë Konventën e partisë më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri.
“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, shtoi ai.
Ai shtoi se PDK-ja ka nevojë për të krijuar “një momentum, dhe një mundësi të re për familjen tonë demokratike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për kryeministër, në zgjedhjet e ardhshme kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”.
Gjatë udhëheqjes së tij, PDK-ja doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke i fituar 24 ulëse, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.
Krasniqi tha se nuk e di se kush do të garojë për kryetar të partisë në Konventën e së hënës, por shtoi se do ta mbështesë Hamzën nëse ai garon.
“Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehi, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, theksoi ai.
Krasniqi ka qenë pjesë e PDK-së për gati dy dekada, fillimisht si kryetar i të rinjve të partisë e më pas nënkryetar i partisë para se të zgjidhej kryetar më 2021.
Nën udhëheqjen e tij, PDK-ja përveç që doli e dyta në zgjedhje nacionale, ajo i fitoi gjashtë komuna në zgjedhje lokale të këtij viti, duke pësuar një rënie të vogël në nivel lokal, në krahasim me zgjedhjet paraprake.