Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM (Mitrovicë e Kosovës), duke paralajmëruar "rezistencë" nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon targat dhe makinat.
"Nuk ka dorëzim. KM mbetet", tha ai pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë - në Beograd më 27 tetor.
Targat KM, janë në mesin e disa lloje targash me akronime serbe për qytetet e Kosovës, që Serbia i lëshon për serbët në Kosovë, e të cilat konsiderohen ilegale nga Prishtina.
Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrimin e makinave, përkatësisht konvertimit të targave serbe në ato RKS - Republika e Kosovës, do të përmbyllet më 31 tetor.
“Plani i tyre [i Kosovës] është që ato vetura të lëshojnë [Kosovën] duke moslejuar që të kthehen në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq.
“Ajo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të saj”, shtoi ai.
Vuçiq tha se "ne jemi të gatshëm t'i vazhdojmë bisedimet, por ka gjëra që nuk mund t'i pranojmë. Ne i kemi njoftuar për këtë, nuk do të hyj në detaje".
Presidenti i Serbisë përsëriti se i pranojnë targat neutrale ndaj statusit - KS, por se, sipas tij, pala kosovare nuk dëshiron të dëgjojë për to.
Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës. Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se makinat me targat që i lëshon Serbia - që përmbajnë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, PR, PZ, GL etj. - do të konsiderohen të paregjistruara pas 31 tetorit.
Nga kjo ministri kanë shtuar se pronarët e makinave me targa që i lëshojnë autoritetet serbe, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, e as ta kalojnë kufirin pas 31 tetorit.
Ndërsa, ambasadorët e vendeve të Quint-it kanë thënë më 21 tetor se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë shprehur shqetësimin për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, para përfundimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës.
Video nga arkivi: Nuk binden për targat: "Do t'i parkojmë veturat në oborr"
Sipas Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare.
Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar edhe për planin franko-gjerman për Kosovën, plan ky i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Siç është raportuar dhe komentuar në Kosovë dhe Serbi, Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.