Kosova duhet të aprovojë sa më shpejt pakon për rimëkëmbjen ekonomike, që mund të jetë disa qindra milionë euro, për të zvogëluar dëmet nga pandemia COVID-19, kanë thënë ekonomistë të vendit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, por si e tillë kjo pako është konsideruar më shumë sociale dhe jo pako e cila ndihmon ekonominë të kalojë krizën dhe të rimëkëmbet.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova po hyn nga një krizë ekonomike në një krizë edhe më të thellë ekonomike dhe shteti nuk po vepron në kohën dhe mënyrën e duhur.
“Është e vërtet që goditjet më të mëdha nga një situatë të tillë e ka pësuar sektori privat dhe komuniteti i biznesit. Në këtë drejtim ne kemi thënë që sfida më e madhe e Kosovës në të ardhmen nuk do të jetë pandemia e koronavirusit, por pandemia ekonomike dhe për fat të keq pandemia politike”, thotë Gërxhaliu.
Kosova, shton Gërxhaliu, ka nevojë urgjente për miratim të pakos për rimëkëmbje ekonomike, pasi që pakoja emergjente fiskale e miratuar tanimë, është më tepër pako e natyrës sociale sesa zhvillimore.
Pakoja e rimëkëmbjes, ende në fazën fillestare
Qeveria në detyrë e Kosovës ka paraparë një pako të veçantë fiskale, e cila në fokus do ta ketë rimëkëmbjen ekonomike, por ende nuk ka ndonjë plan se kur mund të aprovohet dhe çfarë përmban.
Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë, se pakoja e parë ka pasur disa masa që ndihmon bizneset, por që pakoja e dytë e rimëkëmbjes do të ketë në fokus vetëm rimëkëmbjen ekonomike.
Por, që sipas tij, ende nuk dihet se kur do të aprovohet një pako e tillë.
“Kryeministri ne detyrë Albin Kurti së shpejti do të formojë një ekip ku do të jenë përfaqësuesit e ministrive të linjës, përfaqësues të shoqatave ekonomike në mënyrë që të fillohet të përgatitet pakoja për rimëkëmbje ekonomike. Në rast se kjo pako përfundon shpejt, pasojat në ekonomi do të jenë më të vogla”, thotë Krasniqi.
Fondet për pakon e dytë do të merren kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare, thotë Krasniqi, por që për këtë, shton ai, duhet të tejkalohen problemet që po paraqiten në aspektin politik dhe juridik.
“Kuvendi i Kosovës duhet t’i japë mundësinë qeverisë që të hyjë në kredi”, thotë Krasniqi.
Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, për të marrë hua ndërkombëtare, është i domosdoshëm miratimi nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat.
OEK: Pakoja e dytë duhet të jetë 600 milionë euro
Oda Ekonomike e Kosovë (OEK), në një hulumtim të bërë vlerëson se Kosovës do t’i duheshin deri në 600 milionë euro për të zbutur dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia e COVID-19.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi ka thënë se shifra deri në 600 milionë euro do të ndihmonte bizneset të dalin nga kriza ekonomike që janë futur.
“Kjo shifër mund të jetë një kontribut i duhur dhe që mund të ndikojë në rimëkëmbjen të shpejtë ekonomike. Nëse merren masat adekuate kemi lakoren e shkronjës V që është rimëkëmbje e shpejtë, nëse nuk merren masat adekuate atëherë recesioni e merr shkronjën U dhe kohëzgjatja e rimëkëmbjes është shumë më e gjatë në aspektin kohor”, thotë Rukiqi.
Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonomi janë më të zymtat që kanë qenë ndonjëherë.
Banka Botërore në raportin e saj të fundit të publikuar më 29 mars parasheh një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.
Kriza politike me ndikim të madh në ekonomi
Problemet politike në të cilat po kalon Kosova, thotë eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, kanë ndikuar në ekonomi, duke pamundësuar marrjen e vendimeve të duhur për të zbutur pasojat që do të vijnë nga pandemia COVID-19.
“Derisa vendet e rajonit e kanë një front dhe ai front është minimizimi i pasojave nga koronavirusi, Kosova është duke luftuar ne tri fronte dhe të tri frontet janë më të vështira se tjetra, në këtë drejtim luftohet me pasojat e koronavirusit luftohet me problemet socio-ekonomike dhe mbi të gjithë me stabilitetin politik që është në një situatë të padëshiruar”, thotë Gërxhaliu.
Ai shton se duke pasur parasysh dominimin e agjendës politike në Kosovë, vendi po rrëshqet edhe më thellë në krizë, pasi që pakoja e dytë po vonohet.
Kosova që nga 25 marsi funksionon si qeveri në detyrë, pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Aktualisht në Kosovë janë duke u zhvilluar procedurat për formimin e një qeverie të re.