Rezultatet e KQZ-së konfirmojnë balotazhet në komunat e mëdha
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para preliminare. Në bazë të këtyre rezultateve, të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, kuptohet se në shumicën e komunave më të mëdha, kandidatët për kryetarë të komunave do të shkojnë në balotazh.
Sipas KQZ-së në balotazh shkojnë:
Në Prishtinë: Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në Prizren: Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Mytaher Haskuka nga Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Gjilan: Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Ferizaj: Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Muharrem Sfarqa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në Mitrovicën jugore: Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re.
Në Gjakovë: Mimoza Kusari Lila nga Alternativa dhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në Pejë, pritet që Gazmend Muhaxhiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës të konfirmohet si fitues pa balotazh, por mbetet të pritet rezultati përfundimtar.
Për shkak të problemeve teknike, faqja zyrtare e KQZ-së ka qenë jashtë funksionit për më gjatë se tri orë dhe është funksionalizuar para mesnatës.
Ymeri: Vetëvendosje në balotazh, së paku në 10 komuna
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se kjo parti e vlerëson procesin zgjedhor si të rregullt. Ai thekson se të paktën në 10 komuna, Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në balotazh.
“Sot, Lëvizja Vetëvendosje po prin bindshëm në Prishtinë dhe do ta ketë grupin më të madh të këshilltarëve në Kuvendin Komunal. Po ashtu, jemi në garë për t’i fituar 10 komuna të Republikës së Kosovës, për të cilat kemi hy në balotazh”, tha Ymeri.
Ai ka shtuar se në secilën komunë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje të numrit të votave edhe për asamblistë, por edhe për kryetarë të komunave.
Lista Serbe shpall dhe kremton fitoren
Lista Serbe ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale, në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka thënë sonte në Mitrovicë të Veriut se Lista Serbe ka fituar në të 10 komunat, ku komuniteti serb është shumicë.
Lista Serbe, rreth orës 21, në praninë e një numri të simpatizuesve të saj, ka nisur festën me shampanjë dhe fishekzjarrë, në Mitrovicë të veriut, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.
Ky i fundit, i ka thënë se fitorja e Listës Serbe është fitore e madhe për gjithë popullin serb, për Serbinë, si dhe për unitetin dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Demokracia në Veprim: Komunat e mëdha shkojnë në balotazh
Koalicioni i organizatave joqeveritare, "Demokracia në Veprim", i ka publikuar rezultatet e para të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur sot në Kosovë. Rezultatet janë dhënë në lidhje me garën për kryetarët e komunave.
Sipas këtij koalicioni, në më shumë se në 15 komuna të Kosovës do të shkohet në balotazh.
Në Prishtinë në garën e balotazhit do të përballen Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në Prizren do të përballen Shaqir Totaj nga Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe Mytaher Haskuka nga Lëvizjes Vetëvendosje.
Po sipas rezultateve të Demokracisë në Veprim, edhe në Pejë, do të shkohet në në balotazh. Atje pritet të garojnë Gazmend Muhaxhiri nga LDK-ja dhe Fatmir Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kurse në Gjilan do të përballen serish në garën zgjedhore Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Ferizaj gara do të zhvillohet ndërmjet Agim Aliut të PDK-së dhe Muharrem Sfarqës nga LDK-ja.
Po sipas Demokracisë në Veprim, në balotazh shkon edhe Mitrovica e jugut, përkatësisht Valdete Idrizi nga PDK-ja dhe Agim Bahtiri nga AKR-ja.
Në komunën e Gjakovës, pritet që balotazhi të zhvillohet ndërmjet Mimoza Kusari Lilës nga Alternativa dhe Ardian Gjinit nga AAK-ja.
Facebook Forum