Ndërlidhjet

Kosova e dënon largimin e flamurit të saj nga Kongresi në Serbi dhe pret sqarime nga UEFA


Federata Serbe tha se e hoqi flamurin e Kosovës nga vendtakimi i Kongresit të UEFA-s në Beograd, dhe e fajësoi UEFA-n për vendosjen e tij.
Federata Serbe tha se e hoqi flamurin e Kosovës nga vendtakimi i Kongresit të UEFA-s në Beograd, dhe e fajësoi UEFA-n për vendosjen e tij.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, e ka dënuar të enjten largimin e flamurit të Kosovës nga Kongresi i UEFA-së në Beograd si veprim të “turpshëm dhe të papranueshëm”.

Në një reagim në Facebook të enjten vonë, Çeku tha se Kosova pret sqarime nga UEFA-ja dhe “veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme dhe këtë sulm ndaj shtetit të Kosovës”.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Federata e Futbollit e Serbisë (FFS) u përplasën rreth pranisë së flamurit të Kosovës në Kongresin e 49-të të Federatës Evropiane të Futbollit në Beograd të enjten.

Derisa Federata Serbe tha se e kishte hequr flamurin e Kosovës nga vendtakimi i Kongresit në kryeqytetin serb, Federata Kosovare nguli këmbë se flamuri ishte i pranishëm deri në përfundim të mbledhjes.

Një video e shefit të futbollit kosovar, Agim Ademi, duke u fotografuar pranë flamurit të Kosovës në ngjarjen e UEFA-s në Beograd mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe në media të mërkurën vonë.

Në ditën e Kongresit të UEFA-s, të enjten, Federata Serbe tha se e hoqi flamurin, duke e fajësuar UEFA-n për vendosjen e tij.

UEFA nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në pyetjet e saj rreth kësaj ngjarjeje.

Nuk është e qartë se në çfarë ore është hequr flamuri i Kosovës nga vendtakimi i Kongresit, ndërsa tubimi vjetor i UEFA-s përfundoi pak pas mesditës të enjten.

Kosova është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s që nga viti 2016, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë praninë e saj në shtëpinë e futbollit evropian, ashtu siç e kundërshton pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008.

Ministri Çeku tha se largimi i simboleve është "sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë nuk mund të kalojë pa reagim të mirëfilltë ndërkombëtar".

“Presim sqarime nga UEFA-ja dhe veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme dhe këtë sulm ndaj shtetit të Kosovës”, tha ai në Facebook.

Ai u bëri thirrjes UEFA- dhe FIFA-s të mos zhvillojnë ngjarje sportive në Serbi për aq gjatë sa Beogradi zyrtar “nuk e ndryshon qasjen në raport me pjesëmarrjen e Kosovës”.

“Shteti serb nuk ka ndryshuar, është i njëjti që ka kryer masakra e gjenocid para pak dekadash. As atëherë e as sot, nuk e ka kursyer as sportin”, shtoi ai.

Kongresi i 49-të i rregullt i UEFA-s u mbajt në Qendrën e Kongreseve Sava në Beograd. Ky tubim vjetor mblodhi presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm nga 55 federatat kombëtare anëtare të UEFA-s për të diskutuar çështjet kryesore që formësojnë futbollin evropian.

Në fjalimin e tij hapës, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, theksoi rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në futbollin evropian.

"Ne jemi një ekip i bashkuar. Një forcë e unifikuar. Dhe një union i fuqishëm. Ne jemi unioni i futbollit evropian”, tha ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG