Kosova e shënoi të enjten 26-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999 pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë, 26 vjet më parë, “mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”.
“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, shkroi Osmani në Facebook.
Ambasada amerikane në Prishtinë shkroi në X se në këtë përvjetor, “ne nderojmë qëndresën e popullit të Kosovës dhe përkushtimin tonë të përbashkët për ta ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe mirëqenie”.
“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. Data 12 qershor 1999 ishte pikë kthese - një moment që ua mundësoi familjeve të zhvendosura të kthehen dhe komuniteteve të fillojnë rindërtimin”, shkroi Ambasada amerikane.
Ambasada gjermane në Prishtinë, tha se vendosja e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, qershorin e ’99, solli stabilitet dhe siguri në Kosovë.
“Siç u shpreh Lord Robertson, ish-sekretar i Mbrojtjes i Britanisë dhe sekretar i Përgjithshëm i NATO-s:
‘Qëllimi ishte: forcat e Millosheviqit jashtë, NATO brenda dhe refugjatët të kthehen’. Misioni u përmbush”, shkroi Ambasada gjermane në Facebook.
Ajo tha se Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë të Kosovës, duke e mbështetur në rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë.
“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është shndërruar në një histori suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare”, tha ajo.
Të enjten u bënë 26 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.
Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.
Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës - prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s - që erdhën në Kosovë.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.
Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t'i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.
Në luftën e viteve 1998-'99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.
Njëzetegjashtë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.